Policia e Kosovës ka mbyllur gjashtë njësi të të ashtuquajturës Bankë Postare e Kursimeve (Banka Postanske Stedionica) si institucion i jashtëligjshëm financiar i Serbisë në territorin e Republikës së Kosovës.
Policia ka bërë të ditur se operacioni i tyre në gjashtë lokacione të katër komunave në veri të Kosovës, erdhi pas raportimeve të institucioneve monitoruese financiare, si Njësia e Inteligjencës Financiare dhe Banka Qendrore e Kosovës, së bashku me Administratën Tatimore të Kosovës, bazuar në autorizim të prokurorit kompetent.
Në një reagim në rrjetet sociale pas këtij operacioni, ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, tha se ky operacion u zhvillua në bashkëpunim dhe koordinim me institucionet përkatëse të Kosovës dhe organeve të drejtësisë.
“Sundimi i rendit dhe ligjit, shërbimi ndaj të gjithë qytetarëve pa asnjë dallim do të vazhdojë të jetë qëllimi ynë për të cilin jemi zotuar në vazhdimësi. Përgëzoj të gjitha institucionet për bashkëpunimin dhe suksesin e treguar”, shkroi Sveçla.
Në këtë operacion të zhvilluar në veriun e banuar me shumicë serbe, morën pjesë edhe pjesëtarë të KFOR-it dhe EULEX-it.
Operacioni vjen një javë pasi Banka Qendrore e Kosovës (BQK) njoftoi se ka përfunduar afati tranzitor për rregulloren e saj, që ndalon përdorimin e dinarit serb për kryerjen e pagesave.
Në veri qytetarët serbë ende paguhen me dinarë për ndihma sociale dhe pensione nga Serbia./aa