Ministrja e Punëve të Jashtme të Gjermanisë, Annalena Baerbock tha se Ukraina ka nevojë urgjentisht për më shumë mbrojtje ajrore, në mënyrë që të mbrohet nga sulmet e Rusisë.
Në një deklaratë para vizitës në Kiev, Baerbock theksoi se "Ukraina ka nevojë urgjentisht për më shumë mbrojtje ajrore, për t‘u mbrojtur nga sulmet e Rusisë me raketa dhe mjete ajrore pa pilot".
Ajo rikujtoi se me ministrin gjerman të Mbrojtjes, Boris Pistorius ka nisur iniciativë globale për më shumë sisteme të mbrojtjes ajrore për Ukrainën.
"Për të siguruar mbështetje shtesë për forcat e mbrojtjes ajrore të Ukrainës deri më tani kemi mbledhur rreth 1 miliard euro dhe po punojmë shumë për rritjen e kësaj. Kemi lëvizur çdo gurë. Madje, kemi kaluar në veprim edhe për njësinë 'Patriot' i cili është sistem shtesë i mbrojtjes ajrore", shtoi Baerbock.
Pasi njoftoi se duhet të tregohen përpjekje që Ukraina të mund të qëndrojë në këmbë dhe që ukrainasit të mund të caktojnë vetë fatin e tyre në të ardhmen, Baerbock tha se Rusia vetëm në këtë mënyrë nuk mund të përparojë më tej në kufijtë perëndimorë.
Baerbock theksoi se Ukraina lufton edhe për lirinë e saj edhe për lirinë e të gjithë Evropës. "Çështja e anëtarësimit të Ukrainës në BE është pasojë gjeopolitike e detyrueshme e kësaj lufte që Rusia po zhvillon duke shkelur ligjin ndërkombëtar", potencoi kryediplomatja gjermane.
Pasi tërhoqi vëmendjen se në qershor në Berlin do të mbahet Konferenca për Rindërtimin e Ukrainës, Baerbock tha se "Me partnerë në mbarë botën dhe një aleancë të fortë të biznesit, shoqërisë civile dhe qeverisë lokale, ne do të bëjmë investim afatgjatë për të ardhmen e Ukrainës"./aa