Një zyrtar i Komisionit Evropian hodhi poshtë kritikat e ministrit gjerman të Financave, Christian Lindner, për planet e reformës së rregullave të borxhit dhe deficitit të BE-së, duke i quajtur kundërshtimet e tij një “recetë të së shkuarës”.

 

Komisioni propozoi të mërkurën që t’u jepet vendeve me borxhe të larta më shumë liri veprimi për të reduktuar borxhin publik për të lejuar reformat dhe investimet e nevojshme për të luftuar ndryshimet klimatike dhe për të modernizuar ekonomitë.

 

Sipas propozimit të reformës, detyrimi, shpesh i paarritur, për të ulur borxhin e tepërt me 5% në vit duhet të hiqet, pavarësisht thirrjeve te Berlinit për të mbajtur objektiva më të ulëta të detyrueshme vjetore.

 

“Këmbëngulja për një objektiv universal të reduktimit të borxhit do të ishte si të vendosni çimento në një tortë”, u tha zyrtari gazetarëve në Stokholm.

 

“Kundërshtimet e Lindner do t’i ngjanin një “recete të së shkuarës”, tha ai.

 

“Është një këmishë e ngushtë që nuk funksionon në kushtet ekonomike që ne shohim”, shtoi zyrtari, duke iu referuar nevojave për investime dhe reforma.

 

Ministri francez i Financave, Bruno Le Maire, hodhi poshtë thirrjen e Berlinit për objektiva të reja të reduktimit të detyrueshëm të borxhit e tepërt.

 

Rregullat e rrepta të borxhit dhe deficitit të bllokut janë pezulluar që nga pandemia e koronavirusit, ndërsa pasojat e luftës së Rusisë kundër Ukrainës nxitën edhe vende si Gjermania të marrin shuma të mëdha të borxhit publik, duke çuar në thirrje për reforma.

 

Rregullat e mëparshme do të zbatohen sërish nga viti 2024, në rast se nuk arrihet një kompromis.

 

Vendet e BE-së dhe Parlamenti Evropian do të fillojnë së shpejti negociatat për reformën.