Sipas tij, pezullimi dhe revokimi i licencës janë masat administrative më të rënda që mund të marrë Banka e Shqipërisë kur konstaton shkelje gjatë ushtrimit të funksionit mbikëqyrës. Pezullimi kufizon veprimtaritë financiare që mund të kryejë subjekti i licencuar, deri në ndreqjen e shkeljeve, apo plotësimin e rekomandimeve. Ndërsa revokimi i ndalon përfundimisht subjektit kryerjen e veprimtarive për të cilat është licencuar.
Sejko tha se, revokimi i licencës është masa e fundit për një subjekt, pasi kjo masë e nxjerr automatikisht subjektin jashtë juridiksionit mbikëqyrës së Bankës së Shqipërisë, duke e rënduar pozicionin e kredimarrësve të tij për arsye se: revokimi nuk i çliron kredimarrësit nga shlyerja e detyrimit të tyre; revokimi i licencës ia bën të pamundur Bankës së Shqipërisë trajtimin e ankesave të klientëve ndaj subjekteve; revokimi i licencës krijon pritshmëri të gabuar te kredimarrësit se përmes pushimit të veprimtarisë kredidhënëse të subjektit, shuhet detyrimi për shlyerjen e kredisë.
“Por kredimarrësit mund të perceptojnë që mospagimi i detyrimeve ekziston si opsion, gjë e cila sjell rritjen e kredive me probleme në sistemin bankar, dhe rivendos në rrezik kursimet e qytetarëve, e rrjedhimisht, stabilitetin financiar të vendit”, shpjegoi Guvernatori.
Sejko deklaroi se, për të gjitha këto arsye, pezullimi i licencës dhe përcaktimi i një afati për shitjen e portofolit tek çdo subjekt tjetër i licencuar, ka për qëllim mbrojtjen e kredimarrësve nga praktikat abuzive dhe problematikat e përmendura më sipër.
Aktualisht MCA ka në portofolin e tij 15.942 klientë kredimarrës. Nga këta, rreth 90 % kanë marrë një vendim gjykate dhe/ose janë në proces përmbarimor. Kjo do të thotë që për 90% të rasteve ka një vendim gjykate që përcakton vlerën e detyrimit të kredimarrësit. Në total MCA ka blerë portofole me një vlerë prej 9.6 miliardë lekë, nga të cilat është rekuperuar rreth 10% e tij.
Guvernatori bëri të ditur se, që nga momenti i licencimit, deri më sot (2016-2024), në Bankën e Shqipërisë janë depozituar dhe janë trajtuar rreth 85 ankesa ndaj këtij subjekti, ku pjesa më e madhe e ankimeve lidhen me procesin e ekzekutimit të detyrueshëm nga shërbimi përmbarimor.
“Autoriteti ligjor i Bankës së Shqipërisë përfundon në momentin që gjykata lëshon urdhrin e ekzekutimit për të rikuperuar kredinë e pashlyer. Banka e Shqipërisë nuk mund të ndërhyjë as në marrëdhëniet që MCA ka me subjektet që kontrakton, siç është rasti i shërbimit përmbarimor gjyqësor”, tha Sejko.
Sidoqoftë, theksoi Sejko, Banka e Shqipërisë ka komunikuar rregullisht me Ministrinë e Drejtësisë dhe ka raportuar, sa herë që i është kërkuar, në Kuvendin e Shqipërisë. Këto çështje janë trajtuar në vazhdimësi me Dhomën Kombëtare të Përmbaruesve, si dhe me Shoqatën Shqiptare të Bankave.
“Konkretisht, ne gjykojmë se është e nevojshme të bëhen ndryshime në: Kodin e Procedurës Civile për rregullimin e të gjitha veprimeve me karakter procedural të përmbaruesve gjyqësorë gjatë ekzekutimit të titujve ekzekutivë; Hartimin, në bashkëpunim me Bankën Boterore, të një Ligji të posaçëm për mbrojtjen e konsumatorit në veprimtarinë e subjekteve financiare jobanka; Përkthimin në ligje të ndryshimeve rregullative të ndërmarra nga Banka e Shqipërisë, mbi vendosjen e tavaneve për penalitetet dhe normat e interesit; Shndërrimin e të gjitha subjekteve financiare jobanka në shoqëri aksionare, me qëllim rritjen e kontrollit të brendshëm dhe organizimin e drejtimit me 2 nivele; dhe Regjistrimin kontabël vetëm të principalit dhe interesit në rastin e blerjes së portofoleve, të paktën deri në përcaktimin e tavaneve ligjore për normat e intereresit”, u shpreh Guvernatori .
Sejko theksoi se Banka e Shqipërisë ka vepruar, në çdo kohë, në përputhje të plotë me detyrimet që i njeh ligji dhe mbetet gjithmonë e gatshme të bëjë transparencë të plotë përpara publikut, institucioneve shtetërorë dhe mediave në lidhje me veprimtarinë e saj rregulluese dhe mbikëqyrëse./ata