Subjektet financiare (banka dhe jobanka) e kanë mbështetur në vazhdimësi ekonominë e vendit dhe familjet nëpërmjet aktivitetit të kredidhënies, i gjithë portofoli i kredisë së dhënë vlerësohet në nivelin 805 miliardë lekë.
Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko tha sot në Komisionin për Ekonominë dhe Financën që, subjektet financiare jobanka përmes kreditimit i vijnë në ndihmë një kategorie të cakuar konsumatorësh dhe bizneseve të vogla, të cilët nuk arrijnë të kenë qasje në sistemin bankar.
Aktualisht, në Shqipëri operojnë 26 subjekte financiare jobanka që ushtrojnë aktivitet kreditues, por që përbëjnë vetëm 6% të portofolit të kredisë së sistemit, me një total prej 53.6 miliardë lekë.
Sipas tij, pas krizës financiare globale 2008-2010, në tregun financiar shqiptar, u shfaq praktika e shitblerjes së kredive me probleme.
“Në këtë periudhë, një pjesë e kredive të dhëna nga bankat ndër vite, nuk ishin shlyer nga qytetarët. Në vitin 2015, këto kredi kaluan nivelin 25% të kredisë totale, duke cënuar drejtpërdrejt shëndetin dhe sigurinë e bankave dhe duke u kthyer në një kërcënim serioz për kursimet e qytetarëve. Në këtë kontekst, Qeveria Shqiptare dhe Banka e Shqipërisë, në shtator 2015, miratuan “Planin kombëtar për reduktimin e kredive me probleme”. Përveç të tjerash, Plani i ngarkonte Bankës së Shqipërisë detyrën e rregullimit dhe licencimit të shoqërive që angazhoheshin në blerjen e kredive me probleme, praktikë kjo e njohur ndërkombëtarisht dhe e rekomanduar fort nga ekspertët e FMN dhe Bankës Botërore”, tha Sejko
Sipas tij, në atë periudhë, disa institucione financiare, krahas aktivitetit kredidhënës për të cilin ishin licensuar nga Banka e Shqipërisë, kishin kryer edhe blerje të portofoleve të kredive me probleme nga bankat, aktivitet ky i mbështetur në dispozitat e Kodit Civil për kalimin e kredive.
Guvernatori shpjegoi se, me ndryshimet rregullative të marsit 2016, blerja e kredisë u konsiderua një formë kredidhënieje.
“Përmes licencimit, aktiviteti i shitblerjes së kredive, i mbështetur në Kodin Civil, rregullohet dhe kontrollohet nga Banka e Shqipërisë, duke iu nënshtruar të gjitha detyrimeve mbikëqyrëse, përfshirë: raportimin në Regjistrin e Kredive, raportimet periodike.
Të gjitha bankat janë njohur me këtë ndryshim rregullativ, ku procesi i mbledhjes së kredive me probleme është pjesë e procesit të kredidhënies dhe, si i tillë, mund të kryhet vetëm nga subjekte të licencuara nga Banka e Shqipërisë.
Aktualisht janë 5 subjekte, të cilët krahas aktivitetit kredidhënës kryejnë paralelisht edhe aktivitetin e blerjes se portofoleve të kredive me probleme”, tha Sejko./ata