Banka Europiane për Zhvillim (BERZH) do të financojë me një hua prej 98 750 000 eurosh për ndërtimin e hekurudhës Vorë-Hani i Hotit.
 

Zëvendësministrja për Infrastrukturën dhe Energjinë Enkelejda Muça, e pranishme në komisionin për Çështjet Europiane, gjatë diskutimit të projektligjit “Për ratifikimin e marrëveshjes së huas, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, për rehabilitimin e linjës hekurudhore Vorë-Hani i Hotit”, tha se, “projekti kontribuon në një sistem transporti më të qëndrueshëm për mjedisin, në përputhje me agjendën e gjelbër të BE-së”.

Sipas saj, “ky është një investim që kontribuon në zhvillimin e transportit të gjelbër dhe të qëndrueshëm dhe nxitjen e kalimit nga transporti rrugor në atë hekurudhor në vendin tonë dhe në rritjen e lidhjes rajonale dhe në efikasitetin e transportit hekurudhor të mallrave dhe pasagjerëve”.

Muça zbardhi detaje nga ky projekt, ku evidentoi se linja hekurudhore Vorë – Hani i Hotit (kufi me Malin e Zi), është 120 km e gjatë dhe shpejtësia e lëvizjes së trenave do të jetë deri në 120 km/orë. Ajo do të jetë një linjë hekurudhore e elektrifikuar, e kategorisë UIC D4.

Gjithashtu vijoi ajo, projekti parashikon ndërtimin e 12 stacioneve hekurudhore, ndërtimin e një tuneli me gjatësi 320 metër, ndërtimin e 12 urave etj. “Me ndërtimin e kësaj linje hekurudhore pritet një fluks udhëtarësh prej 2 300 000 udhëtarësh/vit dhe volum mallrash prej 900 000 tonësh/vit. Koha mesatare e udhëtimit nga Vora në Hanin e Hotit pritet të jetë 2 orë”, u shpreh Muça.

Sipas saj, projekti do të kontribuojë në rritjen e ndjeshme të lëvizjes hekurudhore të mallrave dhe pasagjerëve që hyjnë dhe dalin nga Shqipëria nëpërmjet zgjerimit të rrjetit kryesor TEN-T, që mbërrin në Portin e Durrësit ose që del nga Shqipëria drejt vendeve të tjera të rajonit të Ballkanit Perëndimor.

Zv. ministrja e Infrastrukturës dhe Energjetikës shpjegoi se, njësia për zbatimin e projekteve është përgjegjëse për të gjitha projektet e zhvillimit të hekurudhave në Shqipëri dhe mbështetet nga stafi i përhershëm i Hekurudhës Shqiptare dhe nga ekspertë, që do të sigurohen përmes asistencave teknike të donatorëve.

“Procedurat e prokurimit do të përfundojnë brenda këtij viti dhe në fillim të vitit 2025 nis zbatimi i projektit që parashikon të përfundojë ndërtimin e linjës hekurudhore Vorë-Hani i Hotit brenda vitit 2030”, tha Muça.

Marrëveshja e huas me Bankës Europiane për Zhvillim (BERZH) në vlerën prej 98 750 000 eurosh për ndërtimin e hekurudhës Vorë-Hani i Hotit. Ky financim ndahet në dy transhe: një i angazhuar prej 84 500 000 euro, si dhe një transh i paangazhuar prej 14 250 000 eurosh, i cili do të angazhohet pas plotësimit të një sërë kushtesh të parashikuara në marrëveshje. Kohëzgjatja e pagesës së huas do të jetë 17 vjet, duke përfshirë periudhën prej 5 vjetësh pa pagesë principali.

Ndërkaq, gjatë diskutimeve u dhanë detaje edhe për korridorin 8 hekurudhor, që në territorin shqiptar nis nga Porti i Durrësit e do të bëje lidhjen me Maqedoninë e Veriut, duke specifikuar se për segmentin Rrogozhinë – Lin po kryhet një studim i ri.

Pas pyetjeve dhe diskutimeve, komisioni miratoi në parim, nen për nen dhe në tërësi projektligjin në fjalë.

Mbledhja e komisionit vijoi me shqyrtimin e Projektligjit “Për miratimin e vendimit nr.1/2023 të Komitetit të Përbashkët të Konventës Rajonale për Rregullat Preferenciale Pan-Euro-Mediteriane të Origjinës për ndryshimin e Konventës Rajonale për Rregullat Preferenciale Pan-Euro-Mediteriane të Origjinës dhe të rekomandimit nr.1/2023 të Komitetit të Përbashkët të Konventës Rajonale për Rregullat Preferenciale Pan-Euro-Mediteriane të Origjinës, në lidhje me përdorimin e certifikatave të qarkullimit të lëshuara në mënyrë elektronike, të 2 datës 7 dhjetor 2023”.

Ky projektligj u prezantua nga zëvendësministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, z. Endrit Yzeiraj, i cili gjatë fjalës së tij u shpreh se marrëveshja në fjalë synon të unifikojë brenda bllokut Pan-Euro-Mediterian ato që quhen rregullat e origjinës. “Për të gjitha marrëveshjet tregtare rregullat e origjinës janë në themel të tyre, pra vendet kanë nevojë që për të përcaktuar kuotat preferenciale për produktet që hyjnë në vendet e tyre, të kenë informacion se nga cili vend këto produkte e kanë origjinën. Shqipëria në 2012 ka ratifikuar këtë marrëveshje që është iniciuar nga BE për të unifikuar rregullat e origjinës ndërmjet vendeve të BE, vendeve kandidate për hyrjen në BE, një bllok vendesh të Mesdheut dhe të Afrikës Veriore. Kjo marrëveshje do të lehtësojë krijimin e zinxhirit të vlerës në nivel rajonal. Do lejohet dhe kalimi i informacionit në mënyrë elektronike të certifikatave të origjinës. Doganat shqiptare mund t’i marrin në mënyrë elektronike të dhënat. Ky proces është iniciuar nga BE dhe drejtohet prej tij”-u shpreh Yzeiraj.

Relatori i çështjes, Lavdrim Krrashi, gjatë fjalës së tij shprehu vlerësimet në lidhje me projektligjin në fjalë dhe ftoi kolegët të votojnë pro kësaj nisme ligjore.

Pas pyetjeve dhe diskutimeve, komisioni miratoi në parim, nen për nen dhe në tërësi projektligjin në fjalë./ata