Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro vijoi sot turin e inspektimeve dhe të komunikimit, kësaj here me Sarandën, që siç e quajti ajo, është një nga pikat turistike më të jashtëzakonshme që ka Shqipëria.

Kumbaro së bashku me kryetarin e Bashkisë Sarandë, Oltion Çaçi, inspektuan edhe plazhin e qytetit ndërkohë që një grup fëmijësh nga shkollat 9-vjeçare po mblidhnin mbeturinat në breg.

Gjatë inspektimit ministrja Kumbaro tha se Saranda është një qytet që gjatë gjithë vitit relaksohet në hapësirat e veta, por gjatë sezonit, që këtë vit ka filluar shumë më herët, disafishohet për shkak të vizitorëve të shumtë që tashmë kanë filluar të popullojnë hotelet, restorante apo apartamentet që jepen me qira, në qytetin e bukur bregdetar.

“Saranda nuk zgjerohet por turistët shtohen”, tha Kumbaro duke theksuar se këtë vit duhet një organizim shumë i madh, prandaj puna ka filluar prej muajsh.

Së bashku me kryebashkiakun Çaçi, ministrja përmendi 2 sfidat më të mëdha të kësaj vere për qytetin: parkimi i automjeteve dhe mbetjet.

Sistemi i gjobave do të nisë në fund të majit. Policia bashkiake do të jetë në terren për të vënë gjoba për parkimet e gabuara si edhe për ndotjen e mjedisit nga mbeturinat.

Agjencia Kombëtare e Bregdetit dhe bashkia e Sarandës janë gati por ministrja kërkoi edhe mbështetjen e gjithë qytetarëve për të përballuar një sezon të bukur por edhe sfidues.

Edhe kryetari i bashkisë së Sarandës, Oltion Çaçi i bëri thirrje komunitetit për të qenë bashkëpunues, në hedhjen e mbeturinave në orare të caktuara, duke pasur parasysh vështirësitë që sjell edhe mobiliteti në këtë qytet./ata