Nënkryetarja e Partisë Demokratike, Oriola Pampuri u shpreh sot në rrjetet sociale se shtrimet në spitale në të gjithë vendin rriten me vlerë dyshifrore nga viti në vit, ndërsa buxhetimi qëndron në vendnumëro.
Pampuri vuri në dukje se gati dy herë më shumë se sa investimet në Shëndetësi shkojnë çdo vit pagesa për 4 koncesionaret PPP, plot 50 milionë euro.
Ajo më tej thotë se këto koncesione vazhdojnë të jenë të padobishme dhe këtë e tregojnë kostot e rritura për barna të rimbursueshme nga buxheti i shtetit dhe rritja e shpenzimeve jashtë sistemit, pra “para nga xhepi” i shqiptarëve me mbi 60% për trajtime ndaj sëmundjeve të cilat dhe nga ana e tyre janë rritur nga viti në vit.
Deputetja e PD-së gjithashtu solli në vëmendje deklaratën e ministres së Shëndetësisë se Urgjenca e Spitalit të Ri të Tiranës do të riniste të funksiononte, ndërkohë që sipas saj, po afron fundi i majit dhe akoma nuk hapur.
“Plot 17 milionë euro ishte fatura e parë që shqiptarët paguan për rikonstruksionin e godinës, ndërkohë pas Zjarrit pa fajtorë, me gati 4 muaj pa ofrim shërbimi urgjence, apo dhe gati më shumë se gjysma e godinës jashtë funksionit, dhe me një faturë të kripur ndërhyrjeje pa transparencë, qytetarët sërish janë në pritje se kur do të rinisë”, përfundoi Pampuri./ata