Ministri i Brendshëm, Taulant Balla përgëzoi sot punën e policisë që në disa operacione ka pasur rezultate në ndalimin e personave në kërkim dhe zbardhjen e ngjarjeve të vjetra kriminale.

“Rezultatet e arritura janë vetëm fillimi i një revanshi të sundimit të ligjit ndaj krimit të organizuar”, u shpreh Balla.

“Bashkëpunimi me agjencitë ligjzbatuese brenda dhe jashtë vendit për të luftuar krimin e organizuar, për të gjetur dhe ndaluar personat në kërkim nga drejtësia, si dhe hetimet e përbashkëta për zbardhjen e ngjarjeve të rënda kriminale të ndodhura në Shqipëri apo në vende të tjera, janë forma më e mirë për të goditur krimin”, theksoi ministri i Brendshëm.

Operacionet e fundit të Policisë së Shtetit në Korçë, Tiranë, Kavajë, Durrës, Elbasan, Gjirokastër dhe Fier rezultuan me arrestimin e dy shtetasve të dyshuar për një vrasje në Greqi rreth 16 vite më parë si dhe shtetas të tjerë të përfshirë në vepra të tjera penale./ata