Deputetët e Partisë Demokratike, Flamur Noka dhe Belind Këlliçi kanë deklaruar jashtë ambienteve të Kuvendit se do të jenë të pranishëm në seancën e nesërme pavarësisht vendimit që komisioni i Etikës mund të marrë për përjashtimin e tyre.

“Vazhdon skenari për t’i mbyllur gojën opozitës. Mendojnë se duke përjashtuar pa asnjë shkak deputetët e opozitës dhe duke bërë qefin Ramë-Gonigalit. Kjo është vrasje e opozitës, të jenë të sigurtë as Nikolla as Rama nuk do mundin t’i mbyllin gojën opozitës. Pa fjalën e lirë një parlament nuk mund të ekzizstojë, ndryshe quhet monist. Ne kemi detyrë të përfaqësojmë 750 mijë votuesit dhe të çojmë zërin e tyre në parlament. Sa herë që nuk do na lejojnë të bëjmë këtë, ne do gjejmë metoda për ta çuar fjalën tonë. Asnjë nen i rregullores nuk është shkelur.

 

Shikojeni videon me bilbila opozita e atëhershme protestonte për të drejtat e veta dhe as nuk i ndërpreu njeri.  Kur ishin në opozitë vetë hynin me megafona, flisnin merrnin edhe mikrofonin e Topallit dhe nuk i ka ndaluar askush. Kjo është demokracia”-tha Noka.

 

Ndeërsa Këlliçi tha se po kërkohej përjashtimi i tij për shkelje të etikës ndërkohë që nuk kishte folur fare gjatë seancës plenare. Ai theksoi se të nesërmen opozita do të mbante sërish protestë para Kuvendit.

 

“Pretendohet që unë kam futur këtë pajisje që është një pajisje për të mbajtur telefonin. Çdo i ri e ka parë këtë pajisje. E kam gjetur në sallë të parlamentit. Nuk e kam futur fshehurazi këtë pajisje. Ftoj të më nxjerrin videon se ku unë e kam futur fshehurazi dhe se çfarë dëmi përbën një pajisje që mban telefonin. Akuzohem se kam shkelur kodin e etikës ndërkohë që nuk kam folur në seancë. E gjitha kjo bëhet që Rama të vijë nesër në parlament dhe të mos ketë opozitën aty për të folur mbi rastin McGonigal. Nesër në orën 10:00 do ketë sërish protestë para parlamentit. Ne aty me siguri do jemi përjashtuar, e dimë se vendimi është marrë por të paktën nuk akuzohem për asnjë vepër penale’-tha Këlliçi.