Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka reaguar për tragjedinë me një të vdekur e 3 të plagosur në minierën e Martaneshit, duke u shprehur se është një këmbanë alarmi që duhet ndjerë në çdo instancë shtetërore dhe qeverisë, pasi statusi i minatorit prej vitesh nuk është pjesë e asnjë tryze politike.

Reagimi ka ardhur në rrjetet sociale të deputetes, nga e cila nuk mungoi as ironia ndaj mazhorancës teksa u shpreh se këta të fundit ‘festojnë’ 1 majin me lule socialiste por i ka harruar punëtorët.

Jorida Tabaku:

Tragjedia e minierës së Martaneshit ku një 29 vjeçar humbi jetën dhe 3 të tjerë janë të plagosur është një këmbanë që duhet të ndjehet nga çdo instancë shtetërore dhe qeverisë.

 

Ngjarje të tilla janë përsëritëse, tre muaj më parë u shkëputën gurë që plagosën rëndë punëtorët dhe asnjë masë nuk është marrë edhe aq më pak ndonjë ndërhyrje e qeverisë që “feston” me lule socialiste “1 Majin” ndërkohë që ka harruar punëtorët.

Një qeveri e pakicës do të thotë që njerëzit e një toke të pasur të mbeten të varfër sepse I forti sundon mbi të dobëtin si në ligjin e xhunglës.

Kësaj i duhet shtuar edhe mënyra se si trajtohen koncesionet në këto pasuri të shqiptarëve dhe së pari të banorëve të asaj zone. Ndërkohë që ende dredhim zinxhirin për të miratuar një nënkomision që do të hulumtojë mbi gjithë kontratat koncesionare e Ministria e Financave fsheh si struci raportin e Koncesioneve dhe PPP-ve, punëtorët e minierave keqtrajtohen si në skllavëri. Të keqpaguar, të pa sigurtë dhe në kushte të papërshkrueshme të punës së përditshme. Duke iu nëpërkëmbur dinjiteti, pa marrë vështirësinë e punës që i takon. Prej vitesh statusi i minatorit që njeh të drejta të veçanta per këtë kategori nuk është pjesë e diskutimeve të asnjë tryeze.

Ndërkohë që kjo tragjedi zhvillohet, mazhoranca socialiste ka sjellë vetëm ligje dhe projektligje që luajnë me lehtësime fiskale të rentës minerare që nuk I bëjnë punë zonave me këto pasuri por vetëm pakicës që I kontrollon këto miniera prej ari.

 

Kjo tragjedi nuk është një shkak për të bërë politikë. Në të vërtetë është një këmbanë alarmi që të mos përsëritet më. I qoftë i lehtë dheu të ndjerit Armond Peshku që humbi jetën në kulmin e rinisë./GazetaShqiptare