Në Tiranë filloi sot punimet Konferenca Ministeriale e Zonës Europiane të Arsimit të Lartë, që mbahet për herë të parë në rajon, me pjesëmarrjen e të gjitha vendeve me synim afrimin ndaj vlerave themelore të arsimit, ndërkombëtarizimin, lirinë akademike, autonominë institucionale, dimensionin social dhe përgjegjësinë publike të arsimit të lartë.

Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu në fjalën e mbajtur me këtë rast, tha se, “Konferenca Ministeriale nuk është vetëm forum diskutimi, por është një platformë veprimi për të ardhmen e arsimit europian, ku do të parashtrojë arritjet dhe sfidat për të çuar më tej zhvillimin e arsimit të lartë në mbarë Europën”.

Manastirliu shprehu falenderim për angazhimin dhe punën e Sekretariatit shqiptar, teksa Shqipëria ka qenë pjesë e Grupit të Bolonjës prej 4 vitesh dhe ka mbajtur Sekretariatin e Zonës Europiane për Arsimin dhe përgëzoi Rumaninë dhe Moldavinë, vendet që do të mbajnë sekretariatin vijues të Grupit të Bolonjës.

Gjithashtu Manastirliu, i uroi mirëseardhjen delegacionit të Ukrainës në këtë Asamble, teksa tha se, “kjo Zonë e Arsimit është solidare me popullin e Ukrainës, për mësuesit dhe nxënësit që me këmbëngulje vijojnë marrjen e dijes, pavarësisht rrethanave”.

Ministrja u ndal në fjalën e saj në reformën e Arsimit të Lartë në Shqipëri.

“Në Shqipëri e nisëm reformën në Arsimin e Lartë me synimin që të përmirësonim cilësinë, të rrisnim ofertën akademike, bashkëpunimin ndërkombëtar dhe krijimin e një ekosistemi të gjallëruar të arsimit të lartë që përgatit brezin e ri për të ardhmen. Ne synojmë që Shqipëria deri në 2030 të bëhet një pikë reference për Arsimin e Lartë  dhe për kërkimin shkencor dhe për këtë arsye jemi duke investuar në bashkëpunimin ndërkombëtar, në programet e mobilitetit, përmirësimin e kurrikulës mësimore”, tha Manastirliu.

Ajo solli në vëmendje marrëveshjen e nënshkruar një ditë më parë mes UBT dhe Universitetit BOKU të Vjenës, të cilën e cilësoi “një hap përpara në arsimin e lartë, që synon të krijojë programe të përbashkëta dhe diploma të dyfishta, duke e bërë kështu ofertën akademike më tërheqëse edhe për studentët që vijnë nga Ballkani Perëndimor”.

Ministrja tha se një nga ngjarjet më të rëndësishme në fushën e ndërkombëtarizimit të arsimit është objektivi për krijimin e një kampusi të tretë të Kolegjit të Europës, që simbolizon anëtarësimin e Shqipërisë në BE.

“Më shumë se 20 marrëveshje me vendet anëtare të BE-së dhe jo anëtare janë nënshkruar në fushën e arsimit të lartë dhe kërkimit shkencor. Të gjitha këto ura bashkëpunimi janë tregues të qartë, janë në zbatim të plotë të Procesit të Bolonjës, që garanton lëvizjen e studentëve dhe stafit akademik, shkëmbimin e përvojave më të mira, duke garantuar cilësi të arsimit të lartë dhe rritjen e ndërveprimit në fushën shkencore”, u shpreh Manastirliu.

Manastirliu deklaroi se “financimi në fushën e kërkimit shkencor është rritur me 40%, krahasuar me vitin 2023 dhe synimi është që financimi për këtë sektor të arrijë në 1% të PBB, ndërsa po punohet fort për krijimin e qendrave të ekselencës të teknologjisë digjitale, teknologjisë së gjelbër dhe shkencave bioteknike që mbështesin studentët në avancimin shkencor akademik”./ata