Presidenti Bajram Begaj i uroi suksese, Talat Xhaferin me rastin e zgjedhjes së tij në krye të qeverisë së Maqedonisë së Veriut.
“Urimet e mia më të përzemërta qeverisë së re teknike të Maqedonisë së Veriut dhe Kryeministrit të saj, zotit Talat Xhaferi”, thuhet në mesazhin e Presidentit.
Pavarësisht kufizimit në kohë dhe në kompetenca, vijon mesazhi i Presidentit, kjo qeveri ka sfidën dhe privilegjin për të realizuar zgjedhje të lira e të ndershme, për të ruajtur stabilitetin dhe kursin euro-atlantik të vendit si dhe të dëshmojë aftësinë për të qenë gjithpërfshirëse dhe bashkëpunuese me të gjithë faktorët pa dallim politik dhe etnik.
Begaj deklaroi se shqiptarët janë një faktor i rëndësishëm për stabilitetin dhe ardhmërinë e RMV.
“Ky është rasti që ata të dëshmojnë se e shohin lidershipin vetëm në perspektivën e integrimit të RMV në BE. Suksese!”, thuhet në mesazhin e Presidentit.
Talat Xhaferi do të drejtojë qeverinë teknike që do të merret me organizimin e zgjedhjeve që do të zhvillohen më 8 Maj./ata