Presidenti i Republikës Bajram Begaj dhe sekretari britanik i Shtetit për Çështjet e Jashtë Komonuelthit dhe Zhvillimit, David Cameron, zhvilluan një bisedë telefonike këtë të mërkurë.

Presidenti Begaj ka dhënë detaje nga bashkëbisedimi me sekretarin e Jashtëm britanik.

“Ne diskutuam për forcimin e mëtejshëm të lidhjeve tona si aleatë të vjetër të NATO-s. Mirënjohës për mbështetjen e fuqishme të Mbretërisë së Bashkuar në mbrojtje, siguri kibernetike, polici dhe reformën gjyqësore, krahas përpjekjeve tona të përbashkëta për të luftuar krimin dhe korrupsionin”, bën të ditur Begaj, përmes një postimi në rrjetet sociale.

Begaj gjatë bisedës telefonike ka shprehur vlerësimet e tij për rritjen e trupave të Mbretërisë së Bashkuar në KFOR.

Edhe Zyra për Çështjet e Jashtme, Komonuelthit dhe Zhvillimit e Britanisë së Madhe ka publikuar në rrjetet sociale detaje nga bisedimi i sekretarit David Cameron me Presidentin Begaj.

“Ata diskutuan rolin e rëndësishëm të Shqipërisë si një aleate e ngushtë e NATO-s dhe rikonfirmuan mbështetjen tonë të palëkundur për Ukrainën dhe përballjen me sfidat rajonale”, thuhet në postim.

Sekretari i Jashtëm britanik ishte sot në Tiranë, ku takua dhe pati një konferencë për mediet me Kryeministrin Edi Rama. Në axhendë ishte dhe takimi me Presidentin Bajram Begaj, por për shkak të zhvillimeve në qeverinë britanike, Cameron e ndërpreu më herët vizitën në Shqipëri./ata