Kandidat i Partisë Demokratike në zgjedhjet e 14 majit për Bashkinë e Tiranës, Roland Bejko deklaroi mbrëmjen e djeshme se qëllimi i Sali Berishës nuk është rrëzimi nga pushteti i Edi Ramës.

 

Gjatë një interviste televizive, Bejko deklaroi se qëllimi i Berishës është që të eleminojë Partinë Demokratike dhe të dalë forcë e dytë, në një kohë kur e ka të pamundur për të rimarrë partinë.

 

“S’e kemi brenda vetes garës, se tashmë PD është e ndarë, Berisha po kërkon një identitet të ri politik, në emër, por edhe filozofi. As vulën, as partinë dhe as grupin e PD, nuk e merr dot sepse është i ndaluar, është i refuzuar, duket si një fantazmë që vjen nga e shkuara në një gjeneratë tjetër. Përveç dëmit që i bëri PD-së, Berisha nuk mundet ta rifitojë kohën që të fitojë marrjen e PD dhe të marrë pushtetin pastaj. Berisha e di mirë që nuk e merr kurë pushtetin në kushtet ku ndodhet dhe e din që nuk bëhet më alternativ qeverisëse. Berisha luan për të qenë i dyti dhe kërkon të na eleminojë ne”, tha Bejko.

 

I pyetur për premtimet e kandidatit të koalicionit ‘Bashkë Fitojmë’, Belind Këlliçit, Bejko tha se “tuneli nëntokësor të sheshi është një finte, sa për spektakël, por s’e bën dot golin. Belindi më ngjan si i “Zakonshmi Ceto”, ai premtonte tunele nën Adriatik, për të lidhur Sicilinë me tunele nën det me pjesën tjetër të Italisë, premtonte dhe ura mbi det. Autobus fals, shiko ça shembulli. Krijon pabarazi totale”, tha  Bejko.