Eurodeputeti gjerman, Franz Romeo një një intervistë të zhvilluar së fundmi është shprehur se nuk e sheh të arsyeshme që themelimi i Asociacionit të Komunave me shumicë serbe të jetë si parakusht për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Europës.

Romeo gjatë fjalës së tij në intervistën me median e Kosovës, Kallxo.com, tha se në rrethanat në të cilat gjendet Kosova, vënia e Asociacionit si parakusht nuk ishte vendim i drejtë e as mjet i duhur. Teksa po fliste për politikën që e ka aplikuar Gjermania në këtë rast në raport me Kosovën, eurodeputeti konsideron se çështja e anëtarësimit të Kosovës në KiE megjithatë nuk është jashtë diskutimeve.

“Duket se Gjermania përmes kësaj mosmarrëveshjeje po përpiqet të mos humbasë Serbinë ndaj Rusisë apo Kinës,” thotë Romeo për kushtëzimin që vuri Gjermania dhe Franca në mënyrë që Kosova të anëtarësohet në Këshillin e Europës.

 

Sipas tij, letra e presidentes Vjosa Osmani, kryeparlamentarit Glauk Konjufa dhe kryeministrit Albin Kurti për të zbatuar të gjitha masat që kërkohen nga Kosova pasi të bëhet anëtare e Këshillit të Europës nuk mjafton për shkak se parakushtet janë më të detyrueshme se garancitë.

“Megjithatë, nga perspektiva gjeopolitike, një përkushtim më i fortë ndaj Kosovës do të kishte qenë i rëndësishëm,” shtoi ai, duke thënë se shoqëria e Kosovës duhet të përfshihet më fort në procese të tilla.

Një shoqëri e informuar, sipas tij, forcon vullnetin politik dhe rrjedhimisht edhe presionin mbi qeverinë, vendimmarrësit dhe gjithashtu promovon një bashkëpunim më të fortë brenda strukturave sociale. Gerald Knaus nga Iniciativa Evropiane për Stabilitet kishte thënë se është çmenduri të ndalohet progresi i Kosovës drejt anëtarësimit në Këshillin e Evropës. Sipas tij, ministrat e Jashtëm në Strasburg duhet të caktojnë datë të re për një takim të jashtëzakonshëm për Kosovën.

Çështja e anëtarësimit të Kosovës në këtë organizatë nuk është vendosur në agjendën e kësaj mbledhjeje. Në Kosovë kishte pritshmëri se në këtë takim do të vulosej që shteti më i ri në Europë do të bëhej anëtar i 47-të i KiE-së./OraNews