Punonjësit e Policisë së Shtetit dhe të sistemit të Burgjeve do të kenë paga më të larta prej datës 1 Korrik. Kjo rritje do të jetë në masën 30% dhe do të realizohen në dy etapa. Për SCAN TV, kryetari i Sindikatës së Policisë Sadetin Fishta si dhe kryetari i Sindikatës së Policisë së Burgjeve Valentin Macaj, kanë folur mbi numrin e përfituesve ku sipas tyre janë mbi 12 mijë punonjës të Policisë së Shtetit, si dhe 3560 punonjës të sistemit të policisë së Burgjeve.
“Qeveria ka në vëmendje dhe pagat e punonjësve të policisë, është një ndër objektivat politikë të saj. Projekti është bërë gati për të përfituar këtë shtesë më 1 Korrik, ku do rritet 25% paga bazë e punonjësve të policisë, si dhe do të ketë një rritje shtesë prej 5% me natyrë të veçantë pune. Kështu që kjo është një rritje e konsiderueshme me 30%, të mbledhura bashkë. Pothuajse të gjithë punonjësit e policisë janë përfitues pra mbi 12 mijë persona”- ka thënë Fishta.
“Rritja do të jetë tek 30%-shi. Nga shtesat që priten, janë përfitues 3660 punojës të burgjeve nga grada më e ulët deri në gradën më madhore. Janë 2 projekte për rritjen e pagës”- shton Macaj, kryetari i Sindikatës së Policisë së Burgjeve.
Ndërkohë zgjidhje i është dhënë dhe përfitimit të pagesave të orëve shtesë të mbartuara, si dhe disa problematikave të tjera.
“Kemi kërkuar heqjen e fashës për mbi 16 orë punë, e cila është bërë pengesë edhe pse ligji për këtë nuk e pengon institucionin e policisë t’jua paguajë mbi 16 orë pune. Ligji shprehet në mënyrë taksative që nuk duhet që punonjësit e policisë të punojnë mbi 16 orë, sigurisht që duhet të ketë dhe marrjen e diferncës financiare” – ka thënë Sadetin Fishta, kryetari i Sindikatës së Policisë.
“Ligji 39 i 2023 riktheu ato të drejta të mohuara dhe shtoi dhe disa të tjera, si çështjen e strehimit, e ushqimit që në projektvendim, është sanksionuar dhe vakti ushqimor’’- ka thënë Macaj.
Në buxhetin e shtetit të vitit 2024 është parashikuar një fond prej 400 milionë dollarësh për punonjësit e Policisë, por edhe të sektorëve të tjerë jetikë./Tema