Të rinjtë që kanë përfunduar studimet në ciklin e parë “Bachelor” dhe duan të angazhohen në praktikë pune në institucionet publike kanë këtë të enjte afatin e fundit për të aplikuar.

Janë të paktën  1200 vende të lira të institucioneve qendrore, vendore si dhe ato të varësisë që sipas nevojës mund të ofrojnë për të rinjtë një pozicion të përkohshëm si pjesë e praktikave kombëtare të punës. Aplikimet u hapën në 8 korrik dhe mbyllen në 15 gusht.

Thirrja e nëntë u shpall nga ministri i Shtetit për Rininë dhe Fëmijët për Programin Kombëtar të Praktikave të Punës, në Administratën Shtetërore, Njësitë e Vetëqeverisjes Vendore, Institucionet Publike të Pavarura dhe Institucionet e tjera private.

Ky program është një mundësi për të rinjtë nga mosha 21 deri 26 vjeç, të cilët kanë përfunduar minimalisht ciklin e parë të studimeve “Bachelor”.

Programi do të fillojë në shtator 2024 dhe do të përmbyllet në dhjetor 2024. Për t’u bërë pjesë e Programit Kombëtar i Praktikave të Punës, të rinjtë duhet të aplikojnë online.

Qëllimi i Programit Kombëtar të Praktikave të Punës është përfitimi i një përvoje kualifikuese, që ndikon në zhvillimin e kompetencave profesionale, akademike dhe personale. Programi mundëson njohjen me institucionet e administratës shtetërore dhe institucione të tjera publike apo private.

Institucionet bëjnë përzgjedhjen e praktikantëve që do të punësohen me kontratë 1- vjeçare, duke u bazuar tek performanca e vlerësimit të praktikantëve si dhe nevojave të secilit institucion./ata