Specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve, në vijim të kontrolleve për kapjen e personave që ushtrojnë veprimtarinë kriminale të shpërndarjes së lëndëve narkotike, bazuar dhe në informacionet e siguruara përmes inteligjencës informative, për një rast të kësaj veprimtarie kriminale, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Shkodër, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Last purchase”.
Gjatë operacionit, shërbimet e Policisë kanë ndaluar për kontroll shtetasin R. P., për të cilin disponohej informacion se shpërndante lëndë narkotike në doza, në qytetin e Shkodrës. Gjatë kontrollit fizik, këtij shtetasi i janë gjetur një sasi dozash më lëndë të dyshuar narkotike cannabis sativa, të cilat janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale.
Në vijim të operacionit, gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e shtetasit R. P., shërbimet e Policisë gjetën një tjetër sasi lënde të dyshuar narkotike cannabis sativa, një sasi farash të dyshuara narkotike cannabis sativa, 1 armë gjahu dhe 1 mjet prerës (thikë), të cilat u sekuestruan gjithashtu në cilësinë e provës materiale.
Në përfundim të veprimeve u arrestua në flagrancë shtetasi R. P., 24 vjeç, banues në Shkodër dhe nisi procedimi në gjendje të lirë për babain e tij, shtetasin T. P., 55 vjeç, të dy banues në Shkodër.
Materialet iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Shkodër, për veprime të metejshme, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të gjuetisë e sportive”.