Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha shprehu sot një mesazh ngushëllimi për ndarjen nga jeta të ish-ambasadorit të Gjermanisë në vendin tonë, Peter Zingraf.
Basha u shpreh, “thellësisht i trishtuar për ndarjen nga jeta të Peter Zingraf, ish-ambasadori i Gjermanisë në vendin tonë, një mik i mirë i Shqipërisë dhe një zyrtar i përkushtuar për forcimin e marrëdhënieve mes dy vendeve dhe rrugëtimit evropian të Shqipërisë”.
“Emri i Peter Zingraf do të jetë pjesë e panteonit të miqve të Shqipërisë që punuan për Shqipërinë Evropiane”, theksoi Basha.
“Në emër të Partisë Demokratike dhe opozitës, i shpreh ngushëllimet më të ndjera familjes, kolegëve dhe popullit gjerman për këtë humbje të madhe. U prehtë në paqen e Zotit!”, përfundon mesazhi i kreut të PD.
Edhe Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta shprehu ngushëllimet për ndarjen nga jeta të ish-ambasadorit të Gjermanisë në vendin tonë, Peter Zingraf.
“Me trishtim mësova lajmin për ndarjen e parakohshme nga jeta të ish-Ambasadorit të Gjermanisë, Peter Zingraf. Mirënjohje për kontributin e tij të vyer në dobi të zhvillimit dhe forcimit të marrëdhënieve në të gjitha fushat me Gjermaninë, për përshpejtimin e procesit të integrimit të plotë të vendit tonë në BE, si dhe për angazhimin e palodhur për forcimin e demokracisë funksionale, shtetit të së drejtës dhe llogaridhënies në Shqipëri”, theksoi Meta në një mesazh.
“Do të ruaj kujtimet dhe vlerësimet më të mira për periudhën që bashkëpunuam së bashku! Ngushëllime familjes, kolegëve të Ambasadës gjermane Tiranë, si dhe autoriteteve të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Gjermanisë, mike dhe partnere strategjike!”, nënvizon Meta./ata