Policia e Durrësit ka arrestuar shtetasin Rus Alexey Smaznov, kapiteni i cisternës së naftës, ndërsa ka vendosur nën sekuestro cisternën me flamur liberian me një sasi prej 22500 tonë naftë në bord. Këto veprime janë ndërrmarë me urdhër të Prokurorisë së Durrësit.

 

Kujtojmë se operacioni policor i koduar “Embargo”, u zhvillua një javë me parë në kuadër të të cilit u bllokua anija me flamur liberian, e cila transportonte 22 500 tonë naftë, me dokumentacion të falsifikuar, që do të kontrabandohej në Shqipëri.

 

Nga veprimet e para hetimore, dyshohet se kjo ngarkesë nafte është marrë nga vendet me embargo për naftën, konkretisht nga Rusia. Anija ishte nisur nga Azerbajxhani dhe pretendohet se më pas është ngarkuar me naftë në portin Kallamata, Greqi, nga një anije tjetër, në një sasi prej 22 500 tonë lëndë djegëse naftë.

 

Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po vijon hetimet e thelluara, me qëllim dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie të kundërligjshme.