Kina ka deklaruar se ata që mbështesin pavarësinë e Tajvanit do ta gjejnë veten “të shtypur” pasi ajo filloi stërvitjet ushtarake në shkallë të gjerë rreth ishullit që pretendon se është i saj.
“Kushdo që kërkon pavarësinë e Tajvanit do ta gjejë veten të shtypur nga prirja historike e ri-bashkimit të plotë të Kinës”, tha në një konferencë për media Wang Wenbin, zëdhënës i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kinës.
I pyetur lidhur me stërvitjet ushtarake dyditore rreth Tajvanit nga Komanda e Arenës Lindore të Ushtrisë Çlirimtare Popullore (PLA), Wang tha se stërvitjet janë një “lëvizje e nevojshme dhe legjitime për të mbrojtur sovranitetin kombëtar dhe integritetin territorial, për të goditur forcat separatiste të ‘Pavarësisë së Tajvanit’ dhe lëvizjet e tyre separatiste”.
Ai po ashtu tha se këto stërvitje dërgojnë një paralajmërim për “ndërhyrje dhe provokime të jashtme”.
Sipas tij, stërvitjet janë plotësisht në përputhje me ligjin ndërkombëtar dhe praktikat e zakonshme.
Stërvitja ushtarake e Kinës vjen pas inaugurimit të William Lai Cheng-te si president i Tajvanit në fillim të kësaj jave.
“Më duhet të theksoj se Tajvani është një pjesë e patjetërsueshme e territorit të Kinës. Ky është një fakt i bazuar në histori dhe status quo-n e vërtetë. Dhe, kështu do të mbetet në të ardhmen”, tha Wang.
Ai i kërkoi SHBA-së që të "ndalojë mbështetjen e forcave separatiste të ‘Pavarësisë së Tajvanit’ dhe të ndalojë ndërhyrjen në punët e brendshme të Kinës".
“Çdo përpjekje për të rrezikuar sovranitetin kombëtar dhe integritetin territorial të Kinës do të përballet me përgjigjen e vendosur të Kinës”, tha ai.
Tajvani, nga ana tjetër, tha se stërvitjet ushtarake kineze rreth ishullit të vetëqeverisur “përshkallëzojnë tensionin në rajon”.
Ministria e Punëve të Jashtme e Tajvanit i bëri thirrje Pekinit “të ushtojë vetëpërmbajtje dhe të ndalojë cenimin e paqes dhe stabilitetit në ngushticën e Tajvanit dhe më gjerë”.
“Ne do të vazhdojmë ta ruajmë status quo-në e ngushticës dhe të mbështesim me vendosmëri demokracinë tonë”, tha ministria e Tajvanit në rrjetet sociale./aa