Në sulmet e ushtrisë izraelite në zona të ndryshme të Rripit të Gazës u vranë 5 palestinezë.
Sipas agjencisë zyrtare palestineze të lajmeve WAFA, ushtria izraelite vazhdon sulmet kundër Rripit të Gazës për të 320-ën ditë. Trupat e 4 palestinezëve u hoqën nga rrënojat e ndërtesave të shënjestruara nga ushtria izraelite në veriperëndim të qytetit Rafah në jug të Rripit të Gazës.
Shumë palestinezë u plagosën kur forcat izraelite sulmuan tendat e civilëve të zhvendosur në rajonin Al-Mawasi, në perëndim të Rafahut.
Ndërsa avionët luftarakë izraelitë shënjestruan rajonin Es-Satar al-Garbi, i vendosur në perëndim të qytetit të Khan Younis në jug të Rripit të Gazës, njësitë e artilerisë bombarduan shtëpitë e civilëve në rajonin Al-Karara në veri të qytetit.
Avionët luftarakë izraelitë bombarduan shtëpinë e familjes palestineze "Al-Khatib" në zonën Tel ez-Zater të kampit të refugjatëve Jibaliya në veri të Rripit të Gazës. Një person u vra në sulm dhe shumë të tjerë u plagosën.
Njësitë e artilerisë izraelite bombarduan lagjet Az-Zaitoun, Es-Sabra dhe Tel al-Hawa të qytetit të Gazës në veri të Rripit të Gazës. Automjetet ushtarake izraelite hapën zjarr edhe në lagjet e qytetit.
Ushtria izraelite vuri në shënjestër shtëpinë e familjes palestineze Es-Salihi në kampin e refugjatëve Nusairat në pjesën qendrore të Rripit të Gazës dhe shumë njerëz u plagosën nga sulmi. Avionët luftarakë izraelitë bombarduan gjithashtu ndërtesa në rajonin Al-Qastal në lindje të Deir al-Balah./aa