Qytetarët mbajtën sot pasdite një marshim në sheshin ‘Skëndërbej’ për të kundërshtuar projekt ligjin e hedhur pwr konsultim publik nga ministria e Shwndetwsisw për Surrogacinë, Abortin dhe Shëndetin Riprodhues të Grave dhe Vajzave.
Në shesh u mblodhën dhe firma për peticionin kundër këtij projekt ligji që ende nuk është kaluar për miratim në parlament. Tubimi ‘Pro Jetës dhe Familjes’ u organizua nga Koalicioni Pro Familjes, e drejtuar nga pastori Akil Pano, dhe nisi me këndimin e himnit Kombëtar, për të treguar vlerat kombëtare.
Ai mbajti edhe fjalën e tij ku është shprehur se jeta dhe ekzistenca e familjes sonë po kërcënohet dhe fton qytetarët të bashkohen për të firmosur peticionin dhe për të kundërshtuar projekt ligjin për surrogacinë.
“Në këtë momentë në të cilin jemi duke jetuar mbi dhe, jeta dhe ekzistenca jonë kërcënohet. Jeta e familjes shqiptare kërcënohet. E kemi quajtur një ligj klientelist sepse kemi parë që vetë projektuesit e këtij ligji janë të lidhur në mënyrë të drejtpërdrejtë ose indirekt me bizneset e spitaleve private, klinikave private në Shqipëri”, Pastori Akil Pano.
Ndërkohë për mikrofonin e Report Tv, një qytetar shpreh kundërshtinë e tij për projekt ligjin duke i bërë thirrje edhe prokurorit të Tiranës të veprojë lidhur me ‘martesën’ e para pak ditëve në tarracën e bashkisë së Tiranës midis dy vajzave, pasi siç thotë ai ishte e paligjshme.
'Sigurisht e kundërshtojmë. Është surrogacia, një term që nuk e mban dot nëna shqiptare. Kemi sterilizimin që i hap rrugë dexhenderzimit dhe trans seksualëve. Dhe duke parë shfaqjen e fundit tek Liqeni dhe së fundmi atë martesë. Para disa kohësh ishte mjeku i Shefqet Ndroqit që është në burg sepse kishte 4 gra. Kishte martesë të paligjshme tek tarraca e bashkisë. I bëj thirrje prokurorit të Tiranës të ndërmarrë hapa.'
Nuk shkon fëmija 16 vjeç o zotëri të bëj abort, pa lejen e prindërit”, u shpreh një qytetar tjetër.
“Jam ndër të paktat gra, nëna të personave publikë këtu. Ne jemi ata që duhet ta ngrejmë zërin e të tërheqim me vete gjithë të tjerët”, u shpreh aktoria Eliona Pitarka.
Mbi një orë qytetarët qëndruan në tubimin e mbajtur në Sheshin ‘Skënderbej’ ku firmosën dhe peticionin që kundërshton projektligjin e surrogacisë.
Peticioni kundër surrogacisë, dhe ndryshimeve të abortit apo sterilizimit do të shtrihet në të gjithë vendin, fizikisht dhe online. Më pas, sipas përfaqësuesit e Koalicionit Pro Familjes dhe Jetës do ta dorëzojnë në Kuvendin e Shqipërisë. Ndërkohë kujtojmë që ky projektligj është në fazën e diskutimit publik, ndërkohë që ka ngjallur një sërë debatesh publike e mediatike, kryesishtë nga komunitetet fetare, por jo vetëm./Shqiptarja