Pas fjalës së Kryeministrit Rama, deputeti demokrat Gazmend Bardhi ka pasur radhën për të folur në Kuvend, ku tha se në 45 minuta që foli kryeministri nuk dha asnjë përgjigje për vendimin e drejtësisë amerikane dhe nuk bëri asnjë transparencë për 14 takimet me ish-shefin e FBI-së McGonigal.

 

Bardhi shprehet se Rama ka folur si prokuror, ndërsa shtoi se kur ka një akuzë nga opozita kryeministri pret drejtësinë amerikane.

 

“Erdhi foli 45 minuta nuk tha asgjë edhe iku, secili nga ju që priste përgjigje e transparencë nga Rama mori një lumë metaforash, sharjesh ndaj opozitës dhe asnjë sqarim mbi këtë vendim të drejtësisë amerikane. Flet si prokuror dhe kur ka akuzë nga ne, thotë prisni të flasë drejtësia amerikane.  Sa kohë është kryeministër fshihet pas imunitetit diplomatik që i jep konventa e Vienës. Do të duhet të ishte larguar nga karrigia e kryeministrit dhe të lejonte drejtësinë të hetonte 14 takimet dhe nuk na tha se ç’ishte kjo dashuri e madhe e shefit të FBI me Edi Ramën? Pse nuk kishte këtë dashuri me kryeministrin e RMV, Malit të Zi apo Kosovës? Çfarë e lidhte këtë me një kryeministër të një vendi si Shqipëria?”, tha Bardhi.