Në qarqet e Jugut numri i lindjeve për 1000 banorë është shumë më i ulët se në ato të Veriut, një e dhënë që tregon se popullsia në këtë rajon është më e plakur.
Të dhënat e INSTAT të përpunuara nga Monitor, tregojnë se në vitin 2023 qarku më numrin më të ulët të lindjeve për 1000 banorë ishte Vlora me 5.7 lindje, e ndjekur nga Korça me 6.3, Fieri me 6.9 dhe Gjirokastra me 7.1 lindje për 1000 banorë.
Në anën tjetër Dibra ishte qarku me numrin më të lartë të lindjeve për 1000 banorë, në 9.6 të tillë, e ndjekur nga Kukësi me 9.3, Lezha me 8,8 dhe Tirana me 8.8.
Qarqet e Jugut të vendit i kaluan me herët fazat kulmore të emigracionit në moshat e reja. Lindjet më të pakta në këto qarqe tregojnë për një popullsi më të plakur dhe për norma më të ulëta të fertilitetit (numri i i lindjeve për grua në moshë riprodhimi).
Po duke krahasuar lindjet për 1000 banorë nga 2019 dhe 2023 shihet se qarqet e Veriut kanë rënien më të shpejtë, duke sugjeruar se ky Rajon përjetoi gjatë dekadës së fundit kulmin e emigrimit sidomos tek të rinjtë.
Nga 2019-2023 Kukësi shënoi rënien më të madh të lindjeve për 1000 banorë. Në vitin 2019 në këtë qark kishte 14,4 lindje për 1000 banorë, ndërsa në vitin 2023 kishte 9.3 lindje. Në Kukës norma e lindjeve për 1000 banorë shënoi rënie me 5.1 pikë për qind, më e larta në të gjitha qarqet.
Pas Kukësit Dibra ka rënien më të madhe të lindjeve për 1000 banorë, nga 13.5 lindje me 2019 në 9.6 në vitin 2023. Në krahun tjetër Berati dhe Lezha patën rënien më të ulët të lindjeve për 1000 banorë ndërmjet 2019 dhe 2023 me nga 1.1 dhe 1.2 pikë % secila.
Normat e lindshmërisë kanë rënë në mënyrë të qëndrueshme në këto tre dekada, por në dy vitet fundit janë përshpejtuar duke sinjalizuar përkeqësim të fenomenit në vitet në vijim.
Më 2023 në të gjithë vendin kanë lindur vetëm 22, 210 foshnja, niveli më i ulët që nga viti 1934 kur janë raportuar të dhënat zyrtare vjetore. Të dhënat tregojnë se edhe në luftën e dytë botërore, në Shqipëri kanë lindur më shumë se sa sot. Psh në vitin 1942 lindën mbi 36 mijë foshnja në një kohë kur numri i grave në moshë riprodhimi ishte më i ulët se sot.
Në vitin 1950 ku regjimi i diktaturës komuniste ishte instaluar lindën 47, 291 foshnja, sipas të dhënave nga arkivat e INSTAT, teksa numri i grave në moshë riprodhimi ( 15-49 vjeç) ishte vetëm 259, 472 mijë. Vitin e kaluar lindën pak më shumë se 22 mijë foshnja, teksa numri i grave në moshë riprodhimi ishte 647,884 ose tre herë më i lartë se në vitet 1950.
Është e kuptueshme se që nga vitet 50-60 Shqipëria ashtu si edhe Europa kanë evoluar në drejtim të planifikimit familjar, barazisë gjinore, integrimit të grave në tregun e punës, por në vendin tonë ka ende një përqindje më e madhe të grave që lindin fëmijë më pak se sa duan. Demografët dhe sociologët janë të shqetësuar se lindjet në Shqipëri kanë rënë përtej të gjitha parashikimeve./Monitor