Nga Abdulla Diku
Gjiri i Gjongjilekës (i Gjonit të Gjinit të Lekës) ose gjiri i Inglizit (anglezit) është një gjí mjaft i bukur dhe me formë gjarpëruese, i cili ndodhet në pjesën perëndimore të gadishullit të Karaburunit.
Forma e veçantë se si duket ky gjí sot i dedikohet veprimit miliona vjeçarë të përroit fjalëpak e punë shumë që zbret nga shpatet perëndimore të Karaburunit, drejt detit Jon.
Gjiri, mori emrin e dytë “Gjiri i inglizit” gjatë Luftës së Dytë Botërore pasi në këtë gjí u strehua për disa kohë Majori i Operacioneve Speciale (SOE) i ushtrisë britanike John Anthony Quayle, që shërbeu si oficer ndërlidhës me partizanët në Shqipëri. Përveçse ushtarak, Quayle njihet më shumë edhe si aktor dhe regjizor filmash.
Në vitin 1943, Quayle do të ngrinte shtabin e tij në Dukat ku do të kalonte rreth 1 vit në kushte të vështira në kasollet e barinjve dhe i rrezikuar për jetën nga gjermanët. Majori Britanik ka lënë disa raporte mjaft interesante për jetën e tij në Dukat si dhe shkroi dy libra për eksperiencën e tij shqiptare, “8 orë larg Anglisë” dhe “Koha për të folur”. Për shkak të rrezikut të vazhdueshëm për jetën nga gjermanët, Quayle kaloi shumë kohë afër këtij gjiri.
Inglizi, përveçse kishte zgjedhur një gji mjaft të mbrojtur dhe krejt të padukshëm për armikun e kohës (për mjetet e vogla lundruese), banonte në një shpellë shumë të përshtatshme dhe të padukshme aty afër (Shpella e Inglizit) që është po ashtu mjaft e bukur (ndoshta më e bukura në jugun e Shqipërisë)./SyriNet