Kryeministri Edi Rama, nga Himara ku u shpërndanë 437 certifikata pronësie, u shpreh se janë 4 000  certifikata në total për t’u realizuar.

Kreu i qeverisë u shpreh se puna për realizimin e certifikatave ka qenë voluminoze dhe një meritë për këtë ka Vangjel Tavo, prefekti i Vlorës.

“Edhe këto 437 dokumente, certifikata që kemi këtu sot, plus ca të tjera që janë gati dhe s’janë këtu. Janë 4 000 për t’u bërë brenda vitit. Janë bërë me shtytjen nga pas, për pjesën më të madhe falë prefektit të cilit ia kam kërkuar që ditën e parë. I kam thënë, do jesh prefekti i Vlorës dhe ke prioritetin numër 1, dhënien e certifikatave të shtëpive të trashëguara të të gjithë himariotëve”, tha Rama.

“Por ama, ja ku e keni prefektin dhe Drejtoreshën e Përgjithshme të Kadastrës t’ju dëshmojnë vështirësinë që kanë kaluar për t’ju bërë që të aplikoni, pastaj dhe të bëni si duhet dokumentacionin për certifikatat. E njoh mirë këtë zonë, e kam në gjak dhe ia di tërë historitë. Mund të flisni çfarë të doni, me ndonjë që vjen nga Durrësi e nuk di ç’bëhet…E di mirë se çfarë janë këtu. Edhe konfliktet e pronës brenda për brenda familjes”, tha Rama.

Kreu i qeverisë në fund bëri apel për të aplikuar për certifikatat e pronësisë. “Aplikoni dhe plotësoni dokumentet. Mos u merrni me fjalë, që erdhi ky, erdhi oligarku, tha nipi kështu…etj. Keni të gjithë mbështetjen e institucioneve për plotësimin e dokumenteve. 4000 certifikatat për shtëpitë e trashëguara do të jepen brenda këtij viti. Prefekti dhe prefektura është adresa për çdo problematikë që keni”, tha Rama./ata