Kryeministri Edi Rama, nga Himara ku nisi shpërndarja e 437 certifikatave pronësie, u shpreh se ideja se nga Tirana ka një plan për të zhveshur himariotët nga pronat e tyre, është një poshtërsi propagandistike.
Në një bashkëbisedim me banorët e Himarës, Kryeministri Rama tha se çështja e pronave është shumë ndjeshme. Ai shtoi se ka pasur raste kur një pronë është shitur 2 herë apo 3 herë dhe çmim 2-fisha po 3-fish të çmimeve që janë në Korfuz.
“Ne e dimë shumë mirë dhe ju e dini dhe më mirë se ne, që jo vetëm prej vitesh, por tanimë pronat këtu shiten nga banorët, nga trashëgimtarët që mund të jenë këtu, apo jashtë për zhvillim dhe shiten me çmime që nganjëherë janë 2-fishi apo 3-fishi i çmimeve që janë në Korfuz. Apo që shiten dhe nga 2 herë, apo 3 herë për faktin se zhvilluesit për të mos patur probleme, kur dikush tjetër i paraqitet si pronar, pasi kanë bërë kontratën me një tjetër që i është paraqitur si pronar, e paguajnë edhe tjetrin, edhe të tretin kur ka patur raste për të njëjtën tokë, vetëm e vetëm për të mos patur konflikte”, tha Rama.
“Që të jemi shumë të qartë dhe t’i themi gjërat siç janë. Ideja që nga Tirana ka një plan për të zhveshur himariotët për pronat dhe për t’i vënë ato prona në dispozicion të oligarkëve, poshtërsi propagandistike që nuk bazohet në asnjë fakt real. Le të dali njëri, të thotë që mua ma morën dhe unë s’dija gjë fare. Nuk ekziston. Nuk ekziston!”, theksoi Rama
“Dhe, që të jemi të qartë, flasim për prona të cilat janë të mbështetura në letra dhe prona të mbështetura në letra, janë në letra që janë të lidhura me banorët këtu. Nuk janë në letra me njerëz në hënë. Natyrisht e thashë dhe më parë që ka probleme të regjistrimit, ka konflikte dhe mos dakordësi mes banorëve apo dhe brenda një familje, sa e kam unë, sa e ke ti dhe kjo shkakton atë që thashë, që për këtë arsye, edhe shpesh herë pronat këtu shtinë nga 2 herë apo 3 herë”, u shpreh Rama./ata