U mbajt në Mitrovicë, forumi shkencor “Studimi gjeologo-sizmik i zonave së thyerjeve tektonike tërthore Kurbnesh-Kukës-Prizren dhe Shkodër-Pejë, si dhe vlerësime të rrezikut sizmik”.
Veprimtaria është koordinuar nga njësia e gjeoshkencave dhe gjeoinxhinierive pranë Akademisë së Shkencave. Organizimi i kësaj veprimtarie u bë i mundur nën kujdesin e kryetarit të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë akad. Skënder Gjinushi dhe kryetarit të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës akad. Mehmet Kraja.
Kjo njësi ka sot në përbërje 11 grupe kërkimore shkencore me 80 bashkëpunëtorë të shtrira në Shqipëri dhe Kosovë. Deri më sot njësia e gjeoshkencave dhe gjeoinxhinierive ka nxitur dhe koordinuar shumë aktivitete shkencore dhe projekte shkencore të përbashkëta Shqipëri-Kosovë të realizuara në një periudhë të shkurtër, por mjaft intensive.
Qëllimi i këtij forumi që u mbajt në Mitrovicë është studimi i thyerjes tektonike aktive Kurbnesh-Kukës-Prizren, që paraqitet si një zonë me rrezik sizmik potencial për sa iu përket zonave urbane, infrastrukturës dhe veprave inxhinierike me karakter strategjik, që ndodhen të afërsi të saj. Kjo thyerje ndërkufitare, që shtrihet në të dyja shtetet tona, përfshirë territorin e Shqipërisë deri në atë të Kosovës ka gjeneruar një seri tërmetesh të madhësive të ndryshme.
Në aspektin teknik Forumi synon të vërë theksin tek rëndësia e veçantë e metodave gjeofizike dhe gjeologo-inxhinierike, së bashku me karakteristikat gjeologjike dhe gjeomorfologjike të nënshtresave lokale, për një studim të thelluar të aktivitetit të thyerjeve tektonike tërthore. Gjithashtu kërkoi forcimin e lidhjeve të bashkëpunimit midis akademikëve, profesorëve dhe shkencëtarëve nga Shqipëria dhe Kosova duke përmirësuar praktikat akademike në tematikat e gjeologjisë inxhinierike, sizmologjisë dhe gjeofizikës së aplikuar./ata