Me rastin e Ditës së Presidentit, sot është promovuar libri “Liria si imanencë njerëzore“ me përmbledhje të fjalimeve të ish-presidentit Ibrahim Rugova gjatë periudhës 1976-2005.
Në një fjalë rasti, e para e vendit tha se presidenti Rugova ishte dhe vazhdon të mbetet udhërrëfyesi dhe ndërtuesi i aleancave strategjike të Kosovës me perëndimin dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Ajo potencoi se libri “Liria si një imanencë njerëzore” ofron një njoftim gjithëpërfshirës me idetë, por edhe vizionin për studiuesit dhe udhëheqësit politikë e shtetërorë të presidentit Rugova. Osmani tha se presidenti Rugova kultivoi dhe mbrojti pa frikë fjalën dhe mendimin e lirë.
Ndërkaq, autori i këtij libri, Munish Hyseni tha se ndër çështjet fundamentale që dominojnë diskursin e këtyre teksteve janë liria dhe identiteti në krijimtari dhe shoqëri. Ai citoi presidentin Rugova duke thënë se liria është kërkesë e njeriut.
Në kuadër të këtij organizimi, presidentja Vjosa Osmani, i dorëzoi kopjen e parë të librit Fanë Rugovës, bashkëshortes së ish-presidentit Ibrahim Rugova. /KosovaPress/