Nëse flasim për Marina Vjollcën dhe Valbona Selimllarin, padyshim që të shumtë janë fansat e dy vajzave të ekranit. Gjithnjë të dashura dhe të paqta, shpeshherë të dyja e kanë parë veten jashtë televizionit, por duket se tashmë është momenti të rikthehen. Marina ka disa muaj larg televizionit, pas përfundimit të “Klanifornias”.
U përfol shumë lidhur me të ardhmen e saj pas përfundimit të “show”-t humoristik. Por, ajo vendosi të bënte një pauzë dhe tani është gati të rikthehet. Burimet pranë revistës “Class” thonë se Marina do jetë moderatore e emisionit sportiv dedikuar “Kampionatit Europian” në “TV Klan”.
Ky emision rikthen Marinën te sporti pas 7 viteve. Kujtojmë se ajo ka qenë bashkëmoderatore e emisionit sportiv në “Top Channel”, “Procesi Sportiv”, krah Ed Manushit.
Në 2017 ajo u largua nga ky program pas 10 vitesh për t’u bërë pjesë e “TV Klan”, fillimisht me emisionin “C’est la vie” e më pas me “Klanifornia”. Eksperienca e saj e fundit ishte si anëtare e jurisë tek “Dancing with the Stars”, por këtë herë do të provojë sportin.
Valbona Selimllari do të jetë bashkëmoderatore krahë Alban Dudushit në emisionin e darkës, që do të zhvillohet për Kampiontin Europian 2024 në Radio Televizionin Shqiptar. Alban Dudushi është prej disa kohësh pjesë e RTSH, ndonëse të dy bashkë me Valbona Selimllarin po nisin një sfidë të re në fushën e sportit e kryesisht futbollit.
Kjo është hera e parë për Valbonën që provon një format që ka në qendër sportin, ndaj mbetet për t’u parë sesi do të përshtatet ajo në këtë rol të ri. Kujtojmë që për shumë vite ka qenë Hygerta Sako, ajo që merrej me sportin në RTSH. Nuk dihet se çfarë do të ndodhë me Hygertën, që për shumë vite ka mbajtur këtë sektor, por ajo që dihet është se tashmë, Kampionati Europian do të mbulohet nga Valbona.
Duhet thënë se ish-misi prej shumë vitesh i mungonte ekranit si moderatore. Pasi ka provuar veten në disa projekte, tashmë Valbona duket se do të realizojë edhe sektorin, që ndoshta nuk e kishte menduar më herët se do ta bënte një ditë./GazetaShqiptare