Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani, zhvilloi një bashkëbisedim me nxënës të shkollave të mesme, në kuadër të 75 vjetorit të Këshillit të Evropës.
Në fjalën e tij, Hasani theksoi rëndësinë e edukimit për qytetarinë demokratike, teksa e cilësoi atë si themelin e një shoqërie të drejtë dhe të barabartë.
“Në 29 vite nga anëtarësimi i Shqipërisë në KiE, vendi ynë ka pësuar një transformim të jashtëzakonshëm. Ne duhet të ndërtojmë një të ardhme më të mirë për të gjithë. Dhe mënyra e duhur për ta bërë këtë është të angazhohemi me ju, të angazhohemi me të rinjtë, të cilët janë ata që kanë bërë gjithmonë ndryshimin në vendin tonë”, nënvizoi Ministri.
E pranishme në këtë aktivitet ishte edhe Giulia Re, Kreu i Zyrës së Këshillit të Evropës në Tiranë, e cila theksoi se ky takim ishte një mënyrë e mirë për të theksuar se sa i rëndësishëm është edukimi dhe sa më shumë duhet të fokusohemi tek ai.
“Ka një fokus të rinovuar të Këshillit të Evropës, për të punuar me të rinjtë dhe për të rinjtë. Ne kemi për detyrë t’u ofrojmë edukim të gjithë fëmijëve dhe të rinjve drejt vlerave demokratike. Demokracia duhet të jetë një mënyrë jetese dhe shkollat janë vendi më i mirë për brezat e rinj që të mësojnë për demokracinë, por edhe për të drejtat e njeriut, lirinë, respektin për të tjerët dhe tolerancën”, tha ajo.
Ky aktivitet, i organizuar nga Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme në bashkëpunim me Zyrën e Këshillit të Evropës në Tiranë, mblodhi nxënës nga pesë gjimnaze të Tiranës: Sami Frashëri, Qemal Stafa, Protagonistët, Eqerem Çabej dhe Aleks Buda, të shoqëruar nga mësuesit e tyre.
Bashkëbisedimi ishte pjesë e përpjekjeve të vazhdueshme për të rritur cilësinë e arsimit në Shqipëri dhe për të promovuar një kulturë demokratike përmes edukimit. Projekti “Forcimi i Edukimit për Qytetarinë Demokratike në Shqipëri” zbatohet nga Këshilli i Evropës dhe financohet nga Agjencia Suedeze për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ndërkombëtar, duke filluar nga dhjetori i vitit 2019 dhe pritet të përfundojë në maj të vitit 2026 dhe në të janë përfshirë 75 shkolla në vend./ata