Europiani po afron gjithnjë e më shumë, teksa Italia kampione në fuqi do ta nisë rrugëtimin me përballjen ndaj Shqipërisë së Sylvinhos mbrëmjen e 15 qershorit në “Signal Iduna Park” të Dortmundit.
Mbrojtësi i Interit, Federico Dimarco, pas një sezoni mjaft pozitiv me zikaltrit, pritet të marrë përgjegjësitë që i takojnë edhe te Italia e Spallettit, teksa duke folur për median italiane, u shpreh i bindur se “të kaltrit” do të bëjnë një performancë mjaft të mirë.
Ai vlerësoi maksimalisht idetë e Spallettit dhe deklaroi se për vetë historinë që ka Italia, e ka detyrim të luajë për të fituar në kompeticione të tilla.
“Shkojmë në Europian për të mbrojtur kurorën. E dimë presionin e madh që kemi, por jemi Italia dhe kemi shkruar faqe të rëndësishme të historisë së këtij sporti, ndaj kemi detyrim të luajmë për fitore.
Me Spallettin luajmë një futboll dominues dhe argëtues, ndaj jam i bindur që do të bëjmë shumë mirë.
Na ka dhënë shumë këshilla dhe ka ide të qarta, por sigurisht që gjithçka do ta shihni në fushë. Jemi shumë të kënaqur dhe jam i bindur që do të bëjmë shumë mirë”, u shpreh Dimarco./OraNews