Fitorja 3-0 ndaj Lihtenshtejnit ka sjellë optimizëm në radhët e kombëtares shqiptare. Kuqezinjtë dominuan totalisht mbi kundërshtari, për të krijuar iluzone për një edicion fenomenal në tokën gjermane.

Sinjale pozitive nga futbollistët e zgjedhur nga trajneri Sylvinho, që në këtë 90 minutësh provoi plot 17 futbollistë, mes tyre edhe të riun, Medon Berisha.

Baza e kombëtares kuqezi u formua nga lojtarët e Serie A me katër prej tyre që ishin titullarë, si portieri Berisha, Ismajli, Bajrami dhe Asllani. Test i mirë për repartin e sulmit, pasi golat mbërritën nga këmbët e Brojës, Asanit dhe Muçit. Një çlirim për fazën e avancuar të kuqezinjve, me trajnerin Sylvinho që mund t’i besojë edhe në faza të ndryshme të lojës kundër rivalëve të grupit të Euro2024.

Broja ia doli që të hynte mes 20 golashënuesve më të mirë të të gjitha kohëve në historinë e përfaqësueses tonë. Ky ishte goli i pestë i Brojës me fanellën kuqezi, në 20 ndeshje të luajtura deri tani. Praktikisht një gol çdo katër ndeshje për sulmuesin e Chelsea, që e pozicionon në vendin e 17 në renditjen e të gjitha kohëve, me po aq gola të shënuar sa Përnaska, Vata, Uzuni, Roshi e Lenjani.


Ndërkohë, për Jasir Asanin, ekzekutimi perfekt ishte i 4-ti në 12 ndeshje të luajtura, duke u ngjitur në vendin e 23-të të kësaj renditje të historisë kuqezi. Edhe Ernest Muçi drejt historisë, pasi shënoi golin e tij të tretë me Kombëtaren në ndeshjen e 10 të luajtur me këtë fanellë.

Talenti i dalë nga akademia e Tiranës është ngjitur në vendin e 28 në renditjen e të gjitha kohërave me përfaqësuesen. Tashmë sytë do të fokusohen tek ndeshja e radhës miqësore, ajo ndaj Azerbajxhanit në të njëjtin impiant aty ku synohet një tjetër rezultat pozitiv për të mbajtur lart moralin kuqezi./Tema