Partizani ndaj Egnatias kërkon të sigurojë titullin e dytë radhazi. Për këtë është optimist trajneri i të kuqve Orges Shehi, që e sheh Partizanin në formën e duhur për të arritur fitoren e Superligës në finalen që do të luhet të dielën përballë Egnatias.

Në konferencën e pragsfidës, Shehi thekson se Partizani duhet të jetë i kujdesshëm, pasi Egnatia është skuadër që ka krijuar një identitet loje dhe tashmë luan finalen e katërt në dy sezone.

“Është ndeshje e fundit dhe më e rëndësishmja, pasi vendos skuadrën kampione. Është një finale që vë përballë dy ekipet më të forta dhe triumfuese do të dalë ekipi që gabon më pak. Protagonistët në fushë janë lojtarët, ndërsa trajnerët i udhëheqin ato. Aktorët më të rëndësishëm janë futbollistët dhe mënyra se si do e interpretojnë lojën”, tha Shehi.

“Janë të pakta finalet që skuadrat dominojnë të gjithë takimin. Episodet mendoj se do të bëjnë diferencën”, shtoi ai Shehi.

I pyetur nëse Partizani është favorit, Shehi tha se “nëse do të shikojë diçka të tillë, i bie të mos merrem me lojtarët e mi. Janë skuadër serioze dhe ne do të japim më të mirën për të fituar. Kemi një president që nuk lodhet kurrë, kemi tifozët më të mirë dhe lojtarët më të shkëlqyeshëm”.

“Dy ekipe me pikë të barabarta, sfida e fundit dhe mendoj se kjo finale do të jetë spektakolare. Fjala finale është e madhe dhe mendoj se duhet ta fitojmë me tru dhe këmbë. Zemra është prezente dhe shpresoj që të kemi një mbështetje të madhe të tifozëve”, vijoi Shehi.

“Jam ende në garë për të fituar titullin dhe sigurisht se të arrish deri këtë është kënaqësi. Kur je kaq afër sigurisht që dëshiron të jesh në fund ai që feston. Duhet përqendrim maksimal dhe koha ikën dhe ajo që mbetet është trofeu” shtoi Shehi.

Kapiteni i Partizanit, Valentino Murataj, pranoi se Egnatia është skuadër e fortë dhe sapo është shpallur dhe fituese e kupës së Shqipërisë.

“Është një skuadër e fort e shembullore, por nga 4 përballjet në kampionat ne kemi humbur vetëm 1. Kemi fituar në finalen e Superkupës dhe kjo na motivon. Përballjen unë e kam me ekipin e Egnatias. Më vjen mirë që do të kemi një arbitër të fortë dhe të njohur anglez. Një finale e gjitha për t’u shijuar. Për mua nuk ka rëndësi kush shënon, e rëndësishme është të fitojmë”, tha Murataj.

“Kemi një skuadër që kemi fituar 2 trofe bashkë. E kemi përgatitur këtë sfidë si një ndeshje derbi dhe shpresojmë të fitojmë në këtë finale.  Ne kemi fituar 2 trofe dhe kemi shkuar deri në “Play-Off” në Conference League. Kemi një motiv ekstra që të fitojmë titullin e dytë rresht”, u shpreh ai.

Finalja mes Partizanit dhe Egnatias do të luhet ditën e nesërme në “Air Albania” duke nisur që nga ora 19:00./ata