Kryeministri Edi Rama u shpreh sot se shqiptarët e Italisë janë përbashkuesit kryesorë të dy brigjeve të Adriatikut në një hapësirë të vetme marrëdhëniesh të gjithëanshme.
Në takimin me shqiptarët e Italisë të organizuar në Milano në kuadër të turit me diasporën, Rama u shpreh thellësisht i prekur nga mikpritja e shqiptarëve.
“Dua që ta dini më ka emocionuar tej masa vala e nxehtë e përshëndetjeve dhe ftesave të shumë shqiptarëve që më kanë shkruar menjëherë sapo mbaroi takimi në Athinë për t’i vizituar në të katër anët e Italisë. Mirënjohje pa fund për dëshirën e madhe për të më takuar. Një përqafim të gjithëve kudo ku janë nga kjo arenë e mrekullueshme ku flamujt kuqezi dhe tringjyrëshi italian dëshmojnë lidhjen e përjetshme mes dy popujsh që në dhjetëra shekuj i ka bashkuar një det i tërë historie në këtë pellg të Mesdheut”, tha Rama.
Kryeministri theksoi se shqiptarët e Italisë janë shëmbëlltyra më rrezatuese e pararojave shqiptare të ribashkimit me Europën.
“Ju, jo politika, jo medie, as biznesi. Ju jeni përbashkuesit më kryesorë të dy brigjeve të Adriatikut në një hapësirë të vetme marrëdhëniesh të gjithanshme. Ju jeni fuqia më e madhe e rikthimit të Arbërisë së vjetër dhe Shqipërisë së re në shtratin natyral të Shqipërisë europiane”, tha Rama.
“Ju jeni krenaria shqiptare e mishëruar në suksesin frymëzues për misionin tonë kombëtar të bashkimit përfundimtar me Europën demokratike. Sot kjo duket gjëja më e natyrshme në botë por dje kjo dukej gjëja më e pamundur”, shtoi kryeministri.
Duke folur për eksodin e madh të viteve ’90 drejt Italisë, Rama u shpreh se “ju u bëtë bartësit e fillesës tronditëse të këtij misioni historik mbi anijet e ndryshkura të Shqipërisë komuniste”, tha Rama.
Kryeministri kujtoi po ashtu se si në vitete ’90 “shqiptari ndihej si person në kërkim në Itali për fajin e vetëm që ishte shqiptar”.
“Të gjithë ata që e kanë shkelur Italinë në vitet ’90 e kujtojnë këtë zile alarmi. ‘Ishte një shqiptar’ ishte avazi që shponte veshin kur dëgjohej, qëronte syrin kur lexohej dhe ulte kokën e shqiptarëve në çdo mjedis ku shqiptari duhet jo thjesht ta fshihte, por mundësisht ta harronte fare të qenit shqiptar për t’u pranuar si njeri i zakonshëm”, u shpreh Rama./ata