Kryeministri Edi Rama informoi sot se 10% e totalit të  bizneseve të krijuara nga ata që kanë ardhur në Itali nga jashtë Bashkimit Europian janë  sipërmarrje shqiptare që kontribuojnë me taksat e tyre për arkën e shtetit italian.

Në takimin e organizuar me shqiptarët e Italisë në Milano, Rama bëri të ditur se sot në Itali janë afro 700 mijë banorë me leje të rregullt qëndrimi dhe më shumë se 1/3 ose çerek milionë qytetarë me pasaportë italiane dhe të drejtë vote.

“3/5 tuaja janë përqendruar në veriun e zhvilluar italian”, tha Rama.

Po ashtu, Kryeministri theksoi se në Itali janë mbi 40 mijë sipërmarrje shqiptare që kontribuojnë me taksat e tyre në buxhet.

Rama u ndal edhe tek studentët shqiptarë që janë 10% e gjithë studentëve të huaj nga vendet jashtë BE-së.

“Mes të gjitha komuniteteve të huaja studentore të Italisë, ai shqiptar renditet me rezultatet më të mira”, nënvizoi Rama.

“Tek ju, shqiptarët e Italisë dhe po njësoj shqiptarët e krejt Europës shoh sikur ka marrë mish e shpirt shprehja e Shën Palit, i cili i ra Mesdheut kryq e tërthor me peripeci deri kur solli fjalën e mirë të dashurisë së Zotit në këtë tokë të bekuar të Italisë: ‘Luftova betejën e drejtë, e ndala vrapin, e ruajta besimin dhe pres vetëm atë që më takon, kurorën e drejtësisë'”, shtoi ai./ata