Për turistët që nuk duan të shpenzojnë shumë para për pushime në Maldive, mund të shtojnë Shqipërinë në listën e destinacioneve të tyre të udhëtimeve, pasi ky vend i mrekullueshëm evropian ofron ujëra të pastra kristal dhe resorte mahnitëse, shkruan Ariane Sohrabi-Shiraz në një artikull të botuar në të përditshmen britanike “Mirror”.
Maldivet janë një ëndërr për shumë vizitorë, por akomodimi në resortet luksoze mund të jetë tepër i shtrenjtë. Megjithatë, ekziston një alternativë evropiane që është po aq tërheqëse.
Maldivet, një grup ishujsh të vegjël koralorë që ndodhen vetëm 400 milje në jugperëndim të Indisë dhe Sri Lankës, mbeten një destinacion ëndrrash për shumë njerëz.
Megjithatë, kostoja e fluturimeve, akomodimit, ushqimit, transportit lokal dhe aktiviteteve mund të jetë paksa e lartë për shumë britanikë.
Por, nuk është e nevojshme të udhëtoni larg për të përjetuar një destinacion luksoz të ngjashëm me Maldivet.
Talia – @travelingwithtals – turistja e cila udhëton vetëm – kohët e fundit postoi një video në TikTok për t’i nxitur aventurierët e tjerë të vizitojnë Shqipërinë, duke premtuar se “nuk do të pendohen”.
Në një postim të fundit në llogarinë e saj, ajo tregon arsyen pse Shqipëria shpesh konsiderohet si “Maldivet e Evropës”. Në video tregohet uji i pastër kristal nën diellin flakërues.
Videoja ka grumbulluar mbi 437,000 shikime, ku shumë prej komentuesve ishin dakord se Shqipëria ishte një “parajsë e fshehur”.
“Shqipëria është një magji, thjesht një vend i mrekullueshëm”, tha një përdorues.
Pushimet në Shqipërinë mahnitëse po fitojnë popullaritet vitet e fundit.
Me plazhet e saj të mrekullueshme me rërë, limanet e fshehura dhe peizazhet mahnitëse, nuk është çudi që influencuesit e udhëtimeve po inkurajojnë turistët të vizitojnë Shqipërinë.
“Kur njerëzit shohin foto të këtij vendi, ata menjëherë mendojnë për Maldivet! Por për fatin tonë, kjo parajsë e fshehur është shumë më afër”, tha një përdorues i TikTok – @thetravelmum – duke e vlerësuar Shqipërinë si destinacionin e ardhshëm të pushimeve.
Kjo pjesë e parajsës nuk gjendet në asnjë tjetër veçse në Ksamil, një fshat bregdetar në Rivierën Shqiptare që po fiton me shpejtësi një reputacion si “Maldivet e Evropës”.
Videot e panumërta paraqesin turistë të bronztë që zhyten në ujërat e kaltra e të pastra kristal nën qiellin blu pa re – të ngjashme me Maldivet, por me çmime më të lira.
Vizitorët mund të kënaqen me të gjitha argëtimet klasike tropikale, që nga zhytjet deri tek banjot e diellit dhe orët e pafundme të relaksit.
Kostoja mesatare e një birre është 2 euro, ndërsa vera priret të jetë perfekte me temperatura mesatare deri në 25 gradë Celsius, duke siguruar me shpejtësi një vend në listën e pushimeve të ëndrrave.
Fluturimet gjatë korrikut nga Londra në Tiranë, aeroportin më të afërt të Shqipërisë, mund të rezervohen për një çmim të arsyeshëm prej 110 euro – me opsione nga disa linja ajrore, duke përfshirë “Wizz Air”.
Nëse udhëtimi prej katër orësh mund të duket i lodhshëm, mund të zgjidhni Korfuzin, në Greqi, që është aeroporti ndërkombëtar më i afërt me Ksamilin./ata
https://www.mirror.co.uk/travel/news/people-flocking-maldives-europe-crystal-32873894