Në portin e Durrësit vijon të jetë i lartë numri i pasagjerëve që udhëtojnë përmes tij.

Autoriteti Portual Durrës bën të ditur për ATSH-në se 120 810 pasagjerë kanë udhëtuar nga / drejt portit të Durrësit përgjatë gjysmës së parë të muajit gusht.

“Tragetet e linjës Durrës-Bari/Ankona kanë transportuar 73 701 pasagjerë në hyrje dhe 47 109 pasagjerë janë regjistruar në dalje nga vendi ynë drejt brigjeve italiane”, theksoi APD.

Po ashtu rritja është reflektuar dhe në numrin e automjeteve, trajlerëve dhe kamionëve të përpunuar në Terminalin e Trageteve.

“Përgjatë periudhës 1-15 gusht 2024 numërohen 32 797 automjete dhe 3950 kamionë dhe trajlerë”, tha APD.

Të gjitha instancat shtetërore dhe private që operojnë në portin më të madh në vend janë angazhuar në mbarëvajtjen e operacioneve në Terminalin e Trageteve, periudhë e cila përkon dhe me pikun e sezonit turistik veror./ata