Asambleja e Përgjithshme e Zakonshme e FSHF zhvilloi ditën e sotme punimet në ambientet e Shtëpisë së Futbollit.

Përveç delegatëve dhe anëtarëve, në këtë Asamble morën pjesë përfaqësues të qeverive europiane dhe botërore të futbollit, UEFA-s dhe FIFA-s, si edhe ministrja e Arsimit dhe Sporteve, Ogerta Manastirliu.

Presidenti i FSHF-së, Armand Duka çeli punimet e Asamblesë së Përgjithshme të Zakonshme të FSHF-së, duke u uruar fillimisht mirëseardhjen delegatëve, anëtarëve dhe të ftuarve specialë.

Kreu i qeverisë së futbollit shqiptar ftoi ministren Ogerta Manastirliu të mbante fjalën e saj përshëndetëse.

Manastirliu në fjalën e saj në Asamblenë e Përgjithshme të FSHF, foli për projekte të reja sportive, ku me rëndësi janë investimet e qeverisë shqiptare në infrastrukturën sportive dhe përfshirjen e sa më shumë fëmijëve në aktivitete sportive, duke rilindur kështu sportin në shkolla si dhe i uroi suksese Kombëtares Shqiptare në “Euro2024”.

Më tej, Manastirliu vlerësoi strategjinë e FSHF-së “Futbolli për Kombin”, që parashikon përfshirjen e më shumë se 23 mijë fëmijëve në sportin e futbollit.

“Strategjia juaj “Futbolli për Kombin” është një strategji që parashikon përfshirjen e më shumë se 23 mijë fëmijëve në sportin e futbollit dhe jam e bindur që një bashkërendim më i mirë mes Ministrisë së Arsimit dhe Sportit me FSHF-në do të bëjë të mundur arritjen e këtij objektivi për përfshirjen e sa më shumë fëmijëve në sportin e futbollit nëpërmjet investimeve në infrastrukturë që janë shumë të rëndësishme”, tha ndër të tjera ministrja e Arsimit dhe Sportit.

Punimet e Asamblesë së FSHF-së i përshëndeti edhe përfaqësuesi i FIFA-s, Gianni Manca, i cili i përcolli komunitetit të futbollit shqiptar përshëndetjet më të përzemërta në emër të Presidentit të FIFA-s, Gianni Infantino, Sekretarit së Përgjithshëm të FIFA-s, Mattias Grafstrom, si dhe të gjithë administratës së FIFA-s, duke i siguruar se, “ne jemi të përkushtuar të vazhdojmë mbështetjen tonë për ju”.

I pranishëm në punimet e Asamblesë së FSHF-së ishte edhe përfaqësuesi i UEFA-s, Denis Bastari, i cili i përcolli komunitetit të futbollit shqiptar urimet më të mira të Presidentit Ceferin dhe administratës së UEFA-s.

Punimet e Asamblesë vijuan me fjalën e presidentit të FSHF-së, Armand Duka, i cili pasi u uroi mirëseardhjen delegatëve dhe të ftuarve specialë, u shpreh se periudha mes dy asambleve ka qenë tepër intensive, mbushur me ngjarje, arritje dhe emocione të mëdha, si ai i kualifikimit për herë të dytë në histori në një Kampionat Europian.

“Tashmë jemi finalistë. Përballë në grup, kemi kundërshtarë të sprovuar dhe jemi sfidantët e “grupit të hekurt” të Euro 2024. Por ne nuk kemi frikë askënd dhe këtë e kemi treguar me lojën tonë. Sigurisht kemi shumë respekt dhe vlerësim për kundërshtarët e fortë, por jemi gati për ti sfiduar, duke dhënë më të mirën me shqiponjën në kraharor dhe me himnin tonë në zemër me qëllimin e vetëm për t’u kthyer fitimtarë. Cilido të jetë rezultati ne do të fitojmë nga ky Kampionat Europian”, tha ndër të tjera presidenti i FSHF-së.

Më tej, Presidenti Duka, sipas rendit të ditës, ftoi përfaqësuesen e Komisionit të Verifikimit, Rozeta Shira për të raportuar mbi thirrjen e Asamblesë së Përgjithshme në përputhje me Statutin. Në bazë të nenit 28 të Statutit përbëhet nga 22 klube të futbollit profesionist dhe po aq delegatë nga futbolli amator, si dhe 3 delegatë për shoqatat e profesioneve të lidhura me futbollin.

Sipas rendit të ditës, Asambleja vijoi punimet duke miratuar procesverbalin e Asamblesë së kaluar, duke diskutuar raportin e aktivitetit të FSHF-së përgjatë vitit 2023, që përmban aktivitetet që nga Asambleja e Përgjithshme e mëparshme, prezantuar bilancin e konsoliduar dhe pasqyrat e fitimit dhe humbjes, si edhe raportin e auditorëve të pavarur dhe të jashtëm, miratimin e pasqyrave financiare të audituara për vitin 2023, miratimin e buxhetit për vitin 2024, emërimin e audituesve të pavarur dhe të jashtëm me propozim të Komitetit Ekzekutiv për auditimin e pasqyrave financiare te vitit 2024 që do të jetë “Grant Thornton”.

Gjithashtu u propozua edhe miratimi i buxhetit për vitin 2025 për arsye se Asambleja zhvillohet në gjashtë mujorin e parë dhe me qëllim që Federata të parashikojë më mirë vitin e ardhshëm financiar dhe mos ta fillojë vitin pa një buxhet të miratuar. Zv/presidenti i FSHF-së, Arben Dervishaj, propozoi projektbuxhetin për vitin 2025, të miratuar nga Komisioni i Financave dhe nga Komiteti Ekzekutiv i FSHF-së.

Në fund u miratua edhe buxheti i vitit 2025 me vendim unanim.

Shoqëria audituese për pasqyrat financiare të vitit 2024 u zgjodh kompania RSM e propozuar nga Komisioni i Financave dhe Komiteti Ekzekutiv i FSHF-së.

Pjesë e rendit të ditës ishin edhe disa propozime për përditësimin e statutit, ku anëtari i KE-së, Envi Hicka shpjegoi se ndryshimet e propozuara janë të njëjta me UEFA-n dhe FIFA-n. Më pas u kalua në votim me anëtarët e Asamblesë që votuan pro ndryshimeve në statut.

Me miratimin e ndryshimeve në statut u mbyllën dhe punimet e Asamblesë së Përgjithshme të FSHF-së./ata