Skuadra e Vllaznisë nuk humb kohë dhe bën goditjen e parë në merkato, në kuadër edhe të pjesëmarrjes në Conference League.

Klubi shkodran njoftoi përmes rrjeteve sociale blerjen e parë për sezonin e ri. Këtë të hënë në Shkodër është firmosur dhe kontrata mes klubit që mbylli kampionatin në vendin e katërt dhe Amir Kahrimanoviç, ish-futbollisti i Erzenit.

“KF Vllaznia dëshiron të bëjë të ditur se nga sot pjesë e saj do të jetë edhe futbollisti Amir Kahrimanoviç. Drejtuesit e klubit kanë rënë dakord dhe më pas është firmosur një kontratë njëvjeçare me mesfushorin fantazist që në dy sezonet e fundit ka qenë pjesë e ekipit të Erzenit ku ka spikatur me performancën e tij”, njofton klubi i Vllaznisë.

Klubi shkodran pretendonte për titull, por në “Final 4” u eliminua nga Egnatia dhe e mbylli kampionatin në vendin e katërt. Shkodranët me këtë goditje i japin një sinjal të fortë tifozerisë për ambiciet që kanë për sezonin e ardhshëm, ku duan të jenë kompetitivë dhe pretendentë në kampionat dhe Kupë dhe pse jo të supozojnë në Evropë./ata