Ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi u shpreh se projektrezoluta e PS-së “Për thellimin e reformave për mirëqeverisjen, sundimin e ligjit dhe antikorrupsionin për Shqipërinë 2030 në Bashkimin Evropian”, është një nismë shumë moderne në dobi të vendit dhe shoqërisë.
Duke marrë fjalën në Kuvend, Peleshi vuri në dukje se “miratimi i kësaj nisme do të ishte një gjë shumë e bukur, sepse fjala konsensus për fat të keq në këtë sallë është shumë e rallë dhe së dyti kjo nismë i ofrohet opozitës nga mazhoranca pa një palë të tretë në tavolinë”.
“Nuk është shumë e hijshme për ne, për klasën politike që kemi arritur akorde bipartizane vetëm kur na kanë ftuar apo kemi pasur në tavolinë partnerët me të cilët duam të punojmë dhe ku duam të integrohemi”, vuri në dukje ministri.
Peleshi teksa ftoi opozitën për miratimin e kësaj rezolute, hodhi poshtë argumentin se opozita nuk mund të bëjë pakt me qeverisjen për modernizimin e qeverisjes, për sa kohë opozita e ka për detyrë denoncimin e keqqeverisjes së mazhorancës. “Kjo nuk është e vërtetë tha Peleshi, teksa solli shembullin e miratimit me unanimitet të plotë të reformës në drejtësi.
“Sot nuk ka shqiptar që nuk beson tek drejtësia e e re tek SPAK”, tha ministri.
Peleshi tha se, dy janë shtyllat ku duhet të qëndrojë Shqipëria e re; së pari shteti ligjor dhe së dyti modelet e qeverisjes sipas standardeve më të mira.
Ministri vuri në dukje reformat që ka ndërmarrë Ministria e Mbrojtjes sa i takon, digjitalizimit dhe përsosjes së procesit të prokurimit, qartësimit të raporteve me administrimin e pronave, inovacionin.
“Ka rëndësi t’i apelojmë njëri tjetrit që shqiptarët pavarësisht nga ngjyra e kostumit politik të bëhen bashkë për Shqipërinë e re”, u shpreh Peleshi./ata