Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja deklaroi sot se, nëpërmjet Komisionit të Posaçëm mazhoranca ka qëllim vetëm mirëqeverisjen dhe Shqipërinë në Bashkimin Evropian në 2030-ën.
Në fjalën e tij në seancën plenare të Kuvendit ku po diskutohet projektrezoluta “Për thellimin e reformave për mirëqeverisjen, sundimin e ligjit dhe antikorrupsionin për Shqipërinë 2030 në Bashkimin Evropian”, Manja tha se, “kemi nisur disa reforma që kanë të bëjnë me qeverisjen e mirë, me sundimin e ligjit dhe me antikorrupsionin dhe duam t’i çojmë përpara, t’i thellojmë, sepse e kemi shpallur një objektiv, Shqipëria 2030 në BE”.
Për këtë, u shpreh Manja, “kemi dy dokumente, Udhërrëfyesin e Shtetit të së Drejtës, që e kemi miratuar në dhjetor të 2023-shit dhe që është dakordësuar plotësisht me Brukselin, që është një plan pune, një plan veprimi i qartë i dakordësuar hap pas hapi dhe me veprime konkrete, ku janë 311 masa që kanë të bëjnë me shtetin e së drejtës dhe sundimin e ligjit. Por kemi dhe procesin screening“.
“Kemi ardhur me këtë rezolutë dhe kemi një qasje dhe kemi një vizion”, tha Manja.
Duke iu drejtuar deputetëve të opozitës Manja pyeti: “Ju jeni këta që jeni këtu që luftoni korrupsionin paradite në parlament me llogje, apo jeni ata që shkoni tek “Rrugica e Shpresës” pasdite?”
“A jeni me Shqipërinë në BE, apo jeni me Shqipërinë “arrest shtëpie”? Se dy rrugë ka, të tretë s’ka”, tha Manja.
Ministri i Drejtësisë theksoi se, “nëpërmjet këtij Komisioni të Posaçëm kemi vetëm një qëllim: Mirëqeverisjen dhe Shqipërinë në BE në 2030-ën. Asnjë gjë më të voglën për të kapur drejtësinë e pavarur. Se ne e kishim, por e hoqëm drejtësinë nga duart e kësaj politike dhe sot është ai SPAK-u, që ju mburreni nga mëngjesi deri në darkë”./ata