Deputetja e Partisë Socialiste, Blerina Gjylameti, tha sot se vendimi i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës që Shqipëria të mos jetë më pjesë e listës së vendeve në monitorim nga KiE, do të përshpejtojë procesin e Integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropianë.

Në një intervistë televizive, Gjylamenti, e cila ishte e pranishme në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, ku me 52 vota pro Shqipëria u hoq nga lista e vendeve në monitorim nga KiE, u shpreh me rezerva për sjelljen e komponentëve të opozitës. Gjylameti po ashtu, solli në vëmendje dhe faktin se eurodeputetët grekë nuk morën pjesë në votim, duke përdorur sërisht rastin e Fredi Belerit.

“Sapo përfunduam votimin dhe ishte një votim unanim. Praktikisht është një vlerësim për punën që ka bërë qeveria shqiptare, institucionet shqiptare, parlamenti shqiptar, në 3 shtylla kryesore, shteti i së drejtës, demokracia dhe të drejtat e njeriut. Është një nga lajmet më të mira që ne marrim”, tha Gjylameti.

“Shërben dhe ndihmon shumë për të përshpejtuar procesin integrues në Bashkimin Evropian. Janë 3 shtylla kryesore që Këshilli i Evropës rekomandon dhe ia përcjell Bashkimit Evropian, për këto 3 shtylla lidhen drejtpërsëdrejti me pjesën e të drejtave të njeriut, demokracisë dhe shtetit të së drejtës. Kjo shërben si raport për pjesën e Bashkimit Evropian gjatë procesit të negociatave”, tha Gjylameti.

“Sot përfundoi i gjithë procesi i vlerësimit të Shqipërisë. Nuk monitorohemi në mënyrë të përvitshme, por vazhdojmë me periudhën post monitorimi. Është një rezultat fantastik që kemi arritur. Ky raport sot dhe ky vlerësim, njeh të gjitha rezultatet që kemi arritur. Është lajm shumë i mirë për Shqipërinë. Këto progrese që kemi arritur, shërbejnë si dokumenta për të vijuar në proceset integruese në Bashkimin Evropian. Kur flasim për votë unanime, flasim për ata që ishin prezent. Për pjesën e votave greke, vijon ende përdorimi i rastit, rasti i zotit Beleri është ngritur si një ndër rastet kryesore për të pasur debate për mos mbështetjen e raportit të bërë nga zoti Stroe, për të propozuar që të dilte Shqipëria nga monitorimi”, u shpreh Gjylameti.

Gjylameti tha se Basha nuk mori pjesë në votim. “Nëse jemi angazhuar kaq shumë, ky rast i takon drejtësisë dhe jo politikës. Unë besoj se nuk ka lidhje me fitoren e vogël. Këto janë çështje të drejtësisë. Nuk mund të ketë ndërhyrje politike. Kemi pasur përfaqësues të Shqipërisë që nuk u angazhuan për të mbështetur daljen e Shqipërisë nga monitorimi. Zoti Basha nuk qëndroi që të votonte”, theksoi Gjylameti.

Pas 29 vjetësh Shqipëria del nga lista e vendeve në monitorim nga Këshilli i Evropës. Asambleja parlamentare e Këshillit të Evropës ka votuar me 52 vota pro daljes së vendit tonë nga lista e monitorimit e këtij organizmi të rëndësishëm./ata