Policia  e Shtetit ka hartuar planin e masave për ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike gjatë protestës së sotme që pritet të zhvillohet rreth orës 20:00 nga opozita. Blutë kanë hartuar planin edhe për ruajtjen e institucioneve të rëndësishme si Kryeministria, ministritë përreth dhe Bashkinë.

Në gatishmëri do të jenë mbi 1.000 forca policie, përfshirë të gjitha Komisariatet e Tiranës, forcat Shqiponjs dhe ato të Forcave të Sigurisë Kombëtare. Këta të fundit do të qëndrojnë pas piramidës.

Në gatishmëri do të jenë edhe autobotët me ujë, në rast se do të ketë përshkallëzim të dhunës që do të përdoren për të shpërndarë protestuesit.

Ditën e djeshme drejtori i Përgjithshëm i Policisë Muhamet Rrumbullaku dhe ai i Tiranës Tonin Vocaj kanë mbledhur të gjithë shefat e Komisariateve të Tiranës për të analizuar planin e mbarëvajtjes së protestës.

Efektivët ndërkohë kanë shpërndarë në grupet e tyre të brendshme fotot dhe të dhënat e personave të shoqëruar më heret për hedhjen molotovi, në mënyrë që të shoqërohen sërish nëse kapen me sende plasëse me vete.

Disa akse rrugore do të bllokohen në përpara nisjes së protestës si Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, sheshi “Nënë Tereza”, rruga “Ismail Qemali”, nga kryqëzimi i rrugës së Elbasanit me rrugën “Ibrahim Rugova”, rruga “Papa Gjon Pali II”, bulevardi “Zhan D’Ark” dhe bulevardi “Bajram Curri”. Ndërkohë bulevardi perballë Kryeministrisë është bllokuar që nga mëngjesi i sotëm. Leja e kërkuar për zhvillimin e protestës nga ana e opozitës është kërkuar 4 orë, nga ora 20:00 deri në mesnatë./vizionplus.tv