Ministrja e Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin, Adea Pirdeni, nga foltorja e Kuvendit e cilësoi moment historik votimin e rezolutës për mirëqeverisje dhe antikorrupsion të propozuar nga mazhoranca.
Në fjalën e saj në Kuvend, ku sot po diskutohet pr/rezoluta për mirëqeverisje dhe antikorrupsion, tha se ky dokument i hap rrugën anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian brenda vitit 2030 dhe është detyrë e të gjithëve për të kapur këtë moment kaq të rëndësishëm për anëtarësimin e Shqipërisë në familjen evropiane.
“Sot përpara Kuvendit paraqitet një mundësi me rëndësi kritike për të thelluar konsolidimin e shtetbërjes demokratike dhe për t’i dhënë dimensionin e duhur dhe të merituar, tanimë tërësisht të prekshëm të Shqipërisë 2030 në BE”, tha Pirdeni.
“Prej momentit historik të çeljes së negociatave në 2022, produkt i transformimit rrënjësor të Shqipërisë brenda kësaj dekade, vendi është tashmë në një trajektore të pandalshme dhe të ngritjes në një tjetër nivel të standardeve të mirëqeverisjes, luftës së pakompromis ndaj korrupsionit dhe sundimit të ligjit. Përgjatë vitit të shkuar administrata publike shqiptare përmes procesit screening iu nënshtrua testit më sfidues, për të dëshmuar dhe matur progresin e Shqipërisë në të gjitha fushat, ku në secilën prej tyre iu dedikua një rol qendror mekanizmave në veprime në luftën ndaj korrupsionit dhe vizionit për fuqizimin më tej të standardeve të qeverisjes së mirë. Kishim të gjithë nevojë për këtë test për të na bërë të kuptojmë se sot jemi të mirëpajisur me pjekurinë institucionale që kërkon përballimi me sfidat e shumëfishta me të cilat shoqërohet procesi drejt anëtarësimit”, tha Pirdeni.
Sipas Pirdenit, “gjetjet e raportit të shqyrtimit analitik janë për ne busulla e pagabueshme për të vlerësuar progresin dhe për të orientuar intensifikimin e transformimit drejt Shqipërisë 2030 pjesë e familjes së madhe evropiane”.
“Duke nisur nga reforma e paprecedentë në sistemin e drejtësisë, që vazhdon të rishkruajë faqen e re të Shqipërisë Evropiane të shekullit të XXI dhe deri tek progresi i kësaj dekade me vendosjen e bazave të shëndosha të modernizimit të makinerisë shtetërore shtetërore”, shtoi ajo.
Ministrja më tej tha se “gjetjet e raportit të Komisionit Evropian në fushën e qeverisjes na bëjnë të krenohemi me performancën më të lartë në rajon në fushën e zhvillimit dhe koordinimit politik. Ndërsa reforma e ofrimit të shërbimeve online e ka pozicionuar Shqipërinë si një lider rajonal në shërbimet publike digjitale, të vërtetuara si mekanizëm efikas në çmontimin e praktikave korruptive. Qeveria sot drejton një proces të pandalshëm të forcimit të pozicionit të saj qendror në luftën kundër korrupsionit brenda vetë ekzekutivit, si shprehje e vetëdijesimit për nevojën për vigjilencë të pandalur të brendshme në sfidë të përhershme përmirësimi me vetveten”.
“Ndaj vijojmë të jemi fuqimisht të angazhuar me bindjen se vetëm ndërhyrjet sistematike, me masa po aq sistematike në modernizimin e çdo hallke qeverisëse do të tkurrin gradualisht çdo shteg të mbetur korrupsioni. Në mënyrë të posaçme do të vijojmë në sektorët vulnerabël dhe në riinxhinierimin e proceseve të brendshme administrative, për të eliminuar çdo kanal nga ku mund të kalojë korrupsioni”, u shpreh Pirdeni.
“Kjo valë e ardhshme reformuese e diktuar nga premtimet që ne tashmë i kemi bërë Brukselit, do duhet të rrok pothuajse çdo qelizë institucionale të tre pushteteve, për t’iu afruar qendrës së rëndesës që i afron të gjithëve pa dallim, pranimi i Shqipërisë në familjen e Evropës së bashkuar. Prandaj draftrezoluta, për thellimin e reformave, mirëqeverisjen dhe antikorrupsionin, duhet të jetë mbarëkombëtare dhe shoqërore. Dimensioni thelbësisht demokratik, gjithëpërfshirës qëndron në rolin e kuvendit, duke e kthyer atë në qendër të dialogut. Momenti historik pra është krijuar, detyrë historike për të mos e humbur këtë moment historik”, përfundoi Pirdeni./ata