Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës po tregohen shumë të buta ndaj Serbisë, duke shtuar se asaj duhet t’i caktojnë një ultimatum për të vendosur sanksione ndaj Rusisë.

Në një intervistë për “Financial Times”, Kurti ka theksuar se Beogradi duhet të rreshtohet kah Perëndimi për t’i ofruar Kosovës siguri në procesin e normalizimit të marrëdhënieve.

“Sapo që Serbia t’i vë sanksione Federatës Ruse, atëherë do të ishte një moment kur ata mund të tregojnë se duan të integrohen në BE, dhe Serbia pa Rusinë nuk mund ta kërcënojë sigurinë e kontinentit. Atëherë do të mund të besoja se në thelb duan paqe. Dhe SHBA-ja e BE-ja nuk do të përpiqeshin që t’i qetësonin më”, ka thënë Kurti.

Ai ka thënë se Serbia duhet të tregojë përkushtim ndaj integrimit në BE duke vendosur sanksione ndaj Rusisë dhe ndaluar përpjekjet për t’u ulur në “tre ose katër stola”.

Kryeministri Kurti ka refuzuar të tregojë nëse Policia e Kosovës do t’i tërheqë njësitë speciale nga veriu, por ka insistuar se ankesat e serbëve për praninë e tyre po pakësohen.

Javën e kaluar policia kosovare bastisi disa degë të një banke serbe në veri të vendit dhe konfiskoi monedhën serbe. Dinari ishte i jashtëligjshëm si mjet këmbimi në Kosovë në fillim të këtij viti, edhe pse shumë prej serbëve të Kosovës paguhen me paga ose pensione në atë valutë. Kosova përdor euron.

Kurti gjithashtu ka potencuar se ka dallime strategjike me aleatët euro-amerikanë, por jo në vlera dhe parime./BalkanWeb