Akademikët në Serbi kërkojnë që shteti i tyre ta shpallë Kosovën një territor të pushtuar. Sipas tyre, bisedimet e lehtësuara nga Bashkimi Europian nuk sjellin zgjidhje apo marrëveshje finale, por vetëm pasoja të dëmshme për vendin.
Përmes një proklamate, të nënshkruar nga 79 akademikë, qeverisë serbe i bëhet thirrje që të ndërpresë bisedimet me Kosovën në dialogun e BE-së sepse ato do të çojnë në njohjen përfundimtare ligjore të pavarësisë.
Ata shkojnë deri aty sa që pretendojnë se qeveria në Prishtinë ushtron dhunë dhe terror ndaj serbëve dhe shtetit të Serbisë. Problemin kryesor e shohin te marrëveshja e normalizimit, që i është bërë kusht Beogradit për anëtarësim në BE, ndërsa propozojnë se si duhet eliminuar ujdia dhe hequr dorë nga dialogu.
“Ka disa mënyra ligjore për ta bërë këtë, ndër të cilat më bindësja është referimi në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Përveç kësaj, është e nevojshme të shqyrtohet arsyeja e përfundimit duke iu referuar Konventës së Vjenës për Ligjin të Traktateve (1969) dhe nenit 62 të saj, që rregullon arsyen e ndryshimit thelbësor të rrethanave, duke pasur parasysh faktin se 'Kosova' nuk i ka përmbushur obligimet e saj nga Marrëveshja e Parë e Brukselit për njëmbëdhjetë vjet.”
Motivi kryesor sipas tyre është se Kosova nuk ka bërë lëshimin më të vogël në bisedime, pra formimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe. Akademikët akuzojnë regjimin e Vuçiçit për tradhti me çështjen e Kosovës në këmbim të një rruge evropiane me një anëtarësim në BE, që sipas tyre nuk do të ndodhë kurrë për Serbinë./Tema