Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura organizoi një “tryezë të gjelbër”, si një forum dialogu për tema të lidhura me mjedisin, duke u rikthyer në qarkun e Korçës, pas takimit të parë të zhvilluar në Pogradec në fund të vitit të kaluar.
Aktiviteti u zhvillua në mjediset e Fakultetit të Shkencave Natyrore dhe Humane, në Korçë, ku ishte e pranishme përfaqësuesja e përhershme e Programit të Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (PNUD) në vendin tonë, Monica Merino, drejtoresha e Agjencisë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura, Daniel Pirushi, prefekti i Qarkut Korçë, Nertil Jole, kryetari i bashkisë Korçë, Sotiraq Filo, drejtori i AdZM, Gjergji Koki, studentë e pedagogë të Fakultetit të Shkencave Natyrore dhe Humane, ekspertë të fushës, natyralistë, etj.
Prefekti Jole, përmes një postimi në rrjetet sociale bëri të ditur se, administrimi i territoreve të zonave të mbrojtura, në kuadër edhe të risive që sjell ligji “Për Zonat e Mbrojtura”, synon të vendosë një ekuilibër midis zonave të mbrojtura e nevojës që kanë komunitetet dhe pushteti vendor për të lejuar aktivitete që nxisin zhvillim ekonomik lokal.
Jole e vuri theksin te sfida e të gjithëve për rritjen e kapaciteteve lidhur me hartimin e Planeve të Menaxhimit të Zonave të Mbrojtura dhe projekteve inovatore si modele të qëndrueshme ndërhyrjesh në këto territore, duke hulumtuar të gjitha mundësitë për të aplikuar dhe siguruar burime financimi nga donatorë të huaj./ata